Grenelli ofron mbështetje për udhëheqjen evropiane në dialogun Kosovë – Serbi

29

Përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i ka dhënë mbështetje udhëheqjes evropiane në dialogun Kosovë – Serbi.

Në Twitter ai ka shkruar se janë të kënaqur që evropianët do të mblidhen në një takim më 10 korrik për diskutime të mëtejme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton KOHA.

“Ne ofrojmë mbështetjen e plotë dhe jemi mirënjohës për lidershipin e tyre. Shpresojmë se çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave do të kompletohet në këtë takim”, ka thënë Grenell.

Tutje ai ka shtuar se SHBA-ja ka punuar shumë me theks të veçantë në normalizimin ekonomik ndërmjet palëve, “sepse besojmë se ky është hapi i parë krucial për këtë mosmarrëveshje të gjatë politike”.

Ai shpreson që evropianët do të implementojnë marrëveshjet ekonomike që janë arritur deri më tani ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën hekurudhore dhe ajrore.

“Ne besojmë se këto marrëveshje janë kyçe në krijimin e punës dhe për t’iu dhënë shpresë të rinjve. Kurrë nuk kemi besuar në një marrëveshje të shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe kurrë s’kemi menduar se fokusi ynë i vetëm në normalizimin e ekonomisë do të ishte një zgjidhje e shpejtë e problemit. Vështirësitë dhe çështjet afatgjate politike do të përballohen më lehtësisht kur të ndodhë progresi në çështjet ekonomike së pari”, ka shkruar ai.

Grenell ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtarë të vazhdojë të provojë ide të reja dhe kreative nëse duam të kemi progres.

“Njerëzit e Kosovës dhe Serbisë meritojnë vëmendjen e plotë dhe të vazhdueshme të evropianëve”, ka thënë Grenell.

Image

Comments are closed.