Berlin, 19 shkurt – I dërguari special i SHBA-së për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës Riçard Grenell ka përgënjeshtruar se Uashingtoni pajtohet për këmbim të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.
“Lajme të rrejshme”, ka shkruar Grenell në Tuiterin e tij, duke komentuar artikullin e publikuar dje në EUobserver.
Duke u përgjigjur drejtpërdrejtë në tuitin e redaksisë, Grenell ka theksuar se asnjëherë nuk është thirrur, as i është shkruar nga ana e tyre të përgjigjet në ato pyetje.
“Unë jam për atë që do të merren vesh palët në dialog, jam i fokusuar në zhvillimin ekonomik, jo në politikë”, ka thënë Grenell.
EUobserver dje ka publikuar se i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Metju Pallmer në intervistën për portalin nuk e ka përjashtuar mundësinë e këmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.
Ai ka thënë se i përkrah “palët të gjejnë mënyrë të kthehen në tavolinën e bisedimeve dhe të hapin çështjet me rëndësi gjatë periudhës së bisedimeve dhe të gjejnë mënyrë për normalizimin e raporteve”.
“Ideale do të ishte me njohje reciproke. Ne do të kishim dashur të shohim njohje të ndërsjellë të Serbisë dhe Kosovës si rezultat i atij procesi”, ka thënë Pallmer.
Ai nuk është përgjigjur në pyetjet plotësuese për atë nëse qëndrimi i SHBA-së është në kundërshtim me pozitën e Gjermanisë se marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës për këmbim të territoreve mund të destabilizojë rajonin.