Ish i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë Richard Grenell, ka thënë të martën se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Albin Kurti është anti-amerikan.
Në një postim në rrjetin social Twitter, Grenell ka thënë se Kurti ka qenë kundër politikave amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët amerikanë si Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump
Sipas tij, ekipi i presidentit amerikan Joe Biden, duhet ta ndalojë këtë gjë.
Grenell i ka bërë këto komente teksa ka shpërndarë një artikull të së përditshmes izraelite Haaretz, në të cilin, duke u thirrur në një komunikatë të LVV-së lidhur me takimin e Kurtit me ambasadorin turk në Prishtinë Çağri Sakar, është thënë se në presion të Turqisë, Kosova mund të ndryshojë vendimin për të hapur ambasadën e saj në Jerusalem.
Hapja e ambasadës në Jerusalem është e paraparë me marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Në dokumentin e nënshkruar nga Kosova, është paraparë njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërkaq, në rastin e Serbisë, është paraprarë zhvendosja e ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.
Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, kanë zyrtarizuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi atë ditë ka deklaruar se ka miratuar kërkesën e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.