Sipas sondazhit të OSBE-së, vitin e kaluar, çdo e shtata grua në Maqedoni ishte viktimë e dhunës fizike ose seksuale, dhe pothuajse gjysma ishin viktima të dhunës psikologjike nga një partner intim. Në ndrëkohë, vetëm 2 për qind e grave që kanë pasur përvoja të tilla me burrat apo partnerët e tyre raportojnë dhunë në polici. Sondazhi i OSBE-së zbulon se tre në pesë (60%) gra e konsiderojnë të zakonshme dhunën ndaj tyre, dhe pothuajse tre në dhjetë e konsiderojnë atë si shumë të zakonshme
Destan JONUZI
Shkup, 13 tetor – Vetëm 2 për qind e grave në Maqedoni, të cilat kanë përjetuar dhunë nga burri ose partneri, kanë denoncuar në polici. Mosbesimi në institucione, por edhe frika nga varfëria janë arsyet kryesore se pse dhuna e përjetuar shumë rrallë del jashtë mureve të shtëpisë. “Për 12 vjet maltretim, dhunë fizike dhe psikike. Jeta ime ishte tmerr, torturë e përditshme. Në fillim mendova se gjithçka do të kalonte, shpresoja vërtet se do të ndryshonte, por nuk doli kështu. Ndryshoi, po, për keq, u bë gjithnjë e më keq. Kur humba shpresën se diçka do të ndryshonte, thashë të uli kokën për shkak të fëmijëve, është e drejtë që ata të rriten me dy prindër. Por nuk ishte ashtu, nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit një baba, gjëja më e rëndësishme është se çfarë lloj babai kanë”, shkruan gazeta KOHA.
“Kam kaluar 14 vjet e martuar, një martesë e bërë ferr. Ditë të mbushura me frikë se mos rrihen sot. Vendosa t’i jap fund një jete të tillë. E lashë! Unë jam e lumtur tani, vetëbesimi dhe paqja ime janë kthyer”. Këto janë vetëm disa nga dëshmitë e grave viktima të dhunës në familje të cilat kanë kërkuar ndihmë nga policia dhe institucionet për çështje sociale në vend. Sipas sondazhit të OSBE-së, vitin e kaluar, një në çdo të shtatën grua në Maqedoni ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale, dhe pothuajse gjysma ishin viktima të dhunës psikologjike nga një partner intim. Sipas këtij hulumtimi, përhapja e dhunës në Maqedoni është dukshëm më e ulët se në Bashkimin Evropian, por OSBE vëren se tre herë më shumë gra në Maqedoni sesa në BE, e konsiderojnë dhunën në familje si çështje private, e cila duhet të mbetet në familje. Sondazhi tregon se vetëm 2 për qind e grave që kanë pasur përvoja të tilla me partnerin e tyre raportojnë në polici atë që ata e konsiderojnë si incidentin më të rëndë. Shumë më e mundshme është që gratë të raportojnë dhunë nga dikush që nuk është partneri ose ish-partneri i tyre sesa nga ai aktual. Shqetësues, po ashtu është edhe trendi i pranimit të dhunës. Sondazhi i OSBE-së zbulon se tre në pesë (60%) gra e konsiderojnë të zakonshme dhunën ndaj tyre, dhe pothuajse tre në dhjetë e konsiderojnë atë si shumë të zakonshme.
Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe vendosjes së orës policore, numri i raporteve të dhunës në familje është rritur. Në periudhën prej 12 marsit deri më 3 gusht të këtij viti, kishte 411 vepra penale dhe 186 shkelje që lidhen me dhunën në familje. Ndërkohë, në të njëjtën periudhë ka pasur 1606 ankesa për dhunë në familje. Numri i ankesave është rritur, por numri i krimeve është ulur në krahasim me vitin e kaluar. Midis 10 marsit dhe 31 korrikut kishte tre vrasje gjatë ushtrimit të dhunës në familje dhe një vrasje në tentativë.
Një sondazh nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje tregon se disa gra vriten çdo vit. Më e keqja ishte në vitin 2010 kur u vranë 13 gra në Maqedoni. Rasti i fundit i tillë ishte i një muaj më parë, kur një 67-vjeçar nga Gostivari vrau gruan e tij me thikë dhe sëpatë. Familjarët e viktimës dyshojnë në reagimin e ngadaltë të policisë, sepse viktima kishte raportuar më parë dhunë në familje. Ndërkaq, raporti i fundit për muajin shtator i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut thekson se shkaku më i zakonshëm i femicidit është qasja joserioze e institucioneve ndaj dhunës me bazë gjinore, gjegjësisht trajtimi i papërshtatshëm i raporteve të dhunës, gjë që ul më tej besimin e viktimave në institucionet kompetente. Për këtë qëllim, Komiteti i Helsinkit kërkon miratimin urgjent të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna kundër Grave dhe Dhunës në Familje, i cili ishte dashur të miratohej në fund të vitit 2019, por për shkak të zgjedhjeve të planifikuara parlamentare, ai nuk u votua në Parlament. Ndërkaq, në vitin 2017, Qeveria ratifikoi Konventën e Stambollit për Parandalimin e Dhunës ndaj Grave.
Në anën tjetër, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale financon qendrat e strehimit, një qendër krize për akomodim deri në 48 orë, një linjë SOS, ndërsa qyteti i Shkupit financon një qendër këshillimi për fëmijët viktima dhe kryerësit e dhunës. Nga ana tjetër, edhe qendrat për punë sociale punojnë me viktimat e dhunës në familje. Ndryshe, me probleme të ngjashme të dhunës në familje përballen edhe vendet fqinje të Maqedonisë. (koha.mk)