Organizatat që në fokus kanë të drejtat e grave, thonë se partitë politike shqiptare u bishtnojnë dispozitave ligjore që garantojnë barazi gjinore, duke i përfshirë gratë në kuadër të kuotave për vendet e garantuara për gjininë femërore, por pa ua besuar atyre pozitat vendimmarrëse dhe udhëheqëse
Zenel MIFTARI
Shkup, 19 janar – LSDM ka vendosur që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të ketë 50 për qind gra në listat për deputet. Kjo nismë është mirëpritur nga aktivistët e të drejtave të grave në vend, ndërkohë që organizatat që në fokus kanë të drejtat e grave thonë se partitë politike shqiptare u bishtnojnë dispozitave ligjore që garantojnë barazi gjinore, duke i përfshirë gratë në kuadër të kuotave për vendet e garantuara për gjininë femërore, por pa ua besuar atyre pozitat vendimmarrëse dhe udhëheqëse.
Arta Toçi, ish deputete dhe kryetare e Asamblesë së femrës te Aleanca për Shqiptarët, thotë se pjesëmarrja e grave në ndryshimet shoqërore, në ngritjen e tyre intelektuale dhe arsimore bëhet me iniciativa personale dhe bazohet në ambiciet e tyre.
“Si kryetare e Asamblesë së femrës në partinë Aleanca për Shqiptarët jam angazhuar të bëhet përfaqësim i denjë dhe afirmativ i femrës në organet e partisë dhe në zhvillimet politike në vend. Ne si parti futemi për herë të dytë në zgjedhje parlamentare dhe të parët respektuam formulën 3,6,9,10 ”, shprehet për gazetën KOHA, Toçi. Sipas saj tani më situata ka ndryshuar dhe të gjitha propozimet për gratë në lista do të vinë vetëm nga Asambleja e femrës dhe për bazë do të merren meritokracia, kontributi i dhënë nga formimi i partisë, përkushtimi, ngritja intelektuale dhe profesionale. Ndërkohë, anëtarja e Forumit të gruas pranë BDI-së, Amella Ismaili Cana, për gazetën KOHA, është shprehur se kishte qenë shumë mirë nëse të gjithë partitë politike në vend, vendosin si parim që në listat për deputet të jetë parimi 50 për qind gra, pasi që me këtë do të mundësohet përfaqësimi i drejtë, i barabartë dhe adekuat i gruas shqiptare në politikë.
“BDI-ia, plotësisht ka kapacitet t’i përmbush me kuadro të mirëfillta profesionale vendet e rezervuara për gratë, që i siguron kuota momentale gjinore.
Diplomatja dhe aktivistja për përfaqësimin e femrës shqiptare në jetën publike, Adelina Marku, për gazetën KOHA, thotë se edhe partitë politike shqiptare duhet ta vendosin parimin e përfaqësimit të barabartë të gruas në listat zgjedhore. Ajo shprehet se shoqëria jonë ka kapacitete të mjaftueshme për ta përfaqësuar gruan shqiptare, por cilësia e kapaciteteve varet nga vendimmarrja e hapur, cilësore dhe garuese brenda partive politike shqiptare. Ndryshe, përbërja e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut, numëroi gjithsej 42 deputete femra, gjegjësisht 34 për qind të përbërjes së kaluar parlamentare ishin femra. Aktualisht gratë shqiptare, siç shihet kanë një pjesëmarrje minimale në Parlament, ndërkaq përfaqësimi akoma më i ulët është në pushtetin vendor. (koha.mk)