Gratë shënjestra e dhunës

20

243 mln gra e vajza denoncojnë abuzim nga partneri çdo vit në botë. Dhe viti 2020, me kufizimet e pandemisë Covid-19, ka përkeqësuar shumë më tepër situatën dhe shifrat. Shpesh e injoruar dhe e toleruar nga shoqëria, dhuna mbi gratë është një ndër format më agresive dhe të pashërueshme të dhunimit të të drejtave të njeriut.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave, që ishte 25 Nëntori, ka nisur edhe fushata kundër dhunës gjinore që do të zgjasë deri në 10 Dhjetor, që është edhe dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Qëllimi i kësaj fushate është evidentimi i problemit dhe se çfarë mund të bëjmë të gjithë bashkë për të përmirësuar këtë situatë, që nuk është vetëm në mbrojtje të grave, por në respekt të të gjithëve.

Pandemia koronavirus ka nxjerrë me në pah këtë fenomen dhe thirrjet për ndihmë janë shtuar në mbarë botën, që nga dhuna psikologjike, ajo fizike, përndjekja, e deri tek vrasjet. Sipas krerëve të organizatave globale, dhuna në familje, dhuna ndaj grave, lë pasoja që zgjasin gjithë jetën dhe që nga gratë e vajzat, viktima shtrihen e përhapen në të gjithë rrethin shoqëror dhe për këtë është problem që na prek të gjithëve. Dhe duhet nisur nga vëmendja për t’i dëgjuar, për t’i dhënë zë dhe për të hedhur pas krahëve paragjykimet, të cilat duhet të bien mbi abuzuesit dhe jo mbi viktimat.