Gratë fituese të çmimit Nobel për kontributet e tyre për paqe, Tawakkol Karman, Shirin Ebadi dhe Mairead Maguire, të cilat vizituan kampet e refugjatëve të Arakanit në rajonin Cox’s Bazar të Bangladeshit, janë takuar me gratë refugjate që qëndrojnë në këto kampe. Tawakkol Karman, njëra nga gratë e nderuara me çmimin Nobel, në prononcimin e saj për AA bëri të ditur se është takuar me dhjetëra muslimanë të Arakanit në këto kampe dhe se nga ato ka dëgjuar historitë e tyre të dhimbshme.
“Në mesin e krimeve që ushtria e Mianmarit ka kryer kundër muslimanëve të Arakanit, ka masakra e përdhunime masive, djegie të njerëzve, varje të baballarëve para syve të fëmijëve dhe varje të fëmijëve para syve të baballarëve, djegie të shtëpive, konfiskim me dhunë të shtëpive, tokave e pronave, si dhe dëbime masive të njerëzve”, u shpreh Karman. Në fjalën e saj, Karman ka shpjeguar se njëra nga gratë me të cilën është takuar në kamp është rrëfyer se ushtarët i kanë prerë fytin djalit të saj të vogël, duke e hedhur trupin e tij më pas në lumë, ndërsa gruan e kanë detyruar që t’i shikojë të gjitha këto.
“Njëra nga gratë ka treguar se ajo bashkë me dy vajzat e saj, njëra gjashtë dhe tjetra 8 vjeçe, teksa qëndronin në shtëpinë e tyre ishin përballur me përdhunime masive të ushtarëve. Një gruaje tjetër ia kanë masakruar djalin 17 vjeçar para syve të saj, ndërsa ajo është detyruar të shikojë të gjithë këtë. Një tjetrës ia kanë masakruar dhe djegur nënën e babain para syve. Ka shumë gra me histori të këtilla. Këtu jemi përballur me qindra fëmijë që nuk kanë as nënë e as baba”, ka theksuar Karman. Duke vënë në dukje se nëpër strehimoret në kampe refugjatët kanë mangësi të nevojave edhe më themelore, Karman apelon te vendet islame që të ushtrojnë më shumë presion ndaj qeverisë së Mianmarit.
Sipas raportimeve në median e Bangladeshit edhe dy gratë tjera të nderuara me çmimin Nobel, Shirin Ebadi dhe Mairead Maguire, pas vizitës së tyre në kampet e refugjatëve kanë folur për median. Maguire, duke njoftuar se kanë dëgjuar rrëfimet e grave të cilat janë përballur me përdhunime dhe kanë humbur familjet e tyre, ka theksuar se, “Ushtarët e Mianmarit duke ia marrë foshnjen një gruaje e kanë masakruar. Ky është një gjenocid shumë i qartë i kryer nga qeveria dhe ushtria e Mianmarit”.