Komisioni parlamentare për barazi gjinore ka ngritur iniciativë për ndryshime në Kodin Zgjedhor me të cilat parashihet rritja e kuotës së grave në listat për deputet në 50 për qind, ndërsa partitë politike nuk kanë asgjë kundër kësaj iniciative nëse plotësohet kushti ligjor
Destan JONUZI
Shkup, 19 nëntor – Komisioni parlamentar për barazi gjinore ka iniciuar ndryshime në Kodin Zgjedhor për rritjen e kuotës së përfshirjes së grave në listat për deputet nga 40 në 50 për qind, mëson KOHA. Iniciativën e kanë nënshkruar 48 gra anëtare të këtij Komisioni, si dhe mbi 40 deputet të gjinisë mashkullore. Kësaj nisme i është bashkangjitur edhe Klubi i grave deputet. Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev nga Kuvendi i Forumit të gruas pranë LSDM-së, paralajmëroi se edhe në rast se nuk inkorporohet ky ndryshim në Kodin Zgjedhor, LSDM-ja në zgjedhjet e planifikuara për më 12 prill të vitit 2020 do të garojë me lista për deputet ku gratë do të përfaqësohen me 50 për qind.
“Listat e kandidatëve për deputet të LSDM-së në zgjedhjet e radhës do të jenë 50-50 për qind, pra gratë në të do to do të përfaqësohen me 50 për qind. Ndërkohë, komisioni parlamentar për barazi gjinore dhe Klubi i grave deputet ka ngritur iniciativë për ndryshime në Kodin Zgjedhor që kuota e përfaqësimit të grave të rritet nga 40 në 50 për qind në listat zgjedhore. Iniciativën e kanë nënshkruar mbi 90 deputet, 48 gra nga klubi i grave deputete dhe mbi 40 deputet meshkuj. Vlen të theksohet se iniciativa mbështetet nga deputetet të partive të ndryshme politike”, deklaroi për KOHA, deputetja e LSDM-së Gjylimsere Kasapi.
Ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor nga gratë deputete, parashohin që i njëjti përfaqësim të aplikohet edhe në zgjedhjet lokale, ndërsa me këtë ndryshim, siç thotë deputetja Kasapi, synohet që të rritet numri i përfaqësimit të grave në institucionet e nivelit qendror dhe lokal. Nga ana tjetër, nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) thonë se edhe deri më tani partia e tyre ka respektuar përfaqësimin e grave jo vetëm në organet partiake por edhe në përfaqësimin e saj institucional.
“Stereotipet dhe pabarazia gjinore janë të ngulitura në kulturën tonë shoqërore dhe edhe përskaj lëvizjeve dhe përpjekjeve të cilat janë bërë kohët e fundit me sjelljen e rregullativave dhe ligjeve pozitive të cilat rregullojnë barazinë gjinore në vendin tonë numrat mbesin shumë të ulët dhe ne si gra, pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë tonë, normalisht nuk jemi të kënaqura me statistikat por vazhdojnë përpjekjet dhe lufta jonë për të marrë pozitën e merituar ashtu siç na takon sipas ligjit për mundësi të barabarta midis burrave dhe grave dhe atë që na garanton Kushtetuta”, thonë nga Forumi i grave të BDI-së.
Ndërkaq, nga VMRO-DPMNE-ja opozitare thonë se nuk ka vërejtje për përfaqësimin e grave në politikën në vend duke vlerësuar se plotësohet kriteri ligjor. “Përqindja e përfaqësimit nga viti në vit, gjegjësisht nga zgjedhjet në zgjedhje rritet që të vihet deri te barazia. Vlerësoj se këto angazhime kanë filluar që kur VMRO-DPMNE-ja ishte në pushtet dhe e vendosi atë sistem të cilin e ndjek dhe nuk kemi marrë vërejtje. Përkundrazi kemi vërejtje vetëm për përmirësimin e përfaqësimit të barabartë”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Partitë opozitare shqiptare shprehen të gatshëm të zbatojnë këtë normë ligjore nëse ajo inkorporohet në Kodin Zgjedhor.
Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) theksojnë se gjithherë kanë qenë të angazhuar për rolin e femrës ne politikë, në vendimmarrje dhe në prezantimin e politikave partiake. “Ne si parti do të përkrahim çdo iniciativë politike që ka të bëjë me barazinë gjinore në politikë dhe me afirmimin e femrës në politike. Rolin e femrën në politikë por edhe në listat e deputetëve e shohim në aspekt të cilësisë dhe jo vetëm të sasisë apo të përqindjes, sepse kuvendit i duhen femra që janë aktive, me bagazh intelektual, profesional por edhe afirmativ ndaj votuesve dhe subjektit që përfaqësojnë. Nga ana tjetër ne nuk mund te mos shprehim shqetësimin për gjendjen ekonomike dhe sociale të saj sepse pasi asaj i mungon esencialja e ekzistencës së vet siç është të pasurit e një vend pune”, deklaroi për KOHA, anëtarja e Kryesisë dhe zëdhënësja e ASH-së, Ilire Dauti. Shkalla e punësimit të fermave, shprehet më tej ajo, në kuartalin e II/2019 është vetëm 37,2% në nivel shtetëror ndërsa i meshkujve 57%. “Të mos flasim për përfaqësimin e saje në pozicione udhëheqëse ku përfaqësimi është larg të dëshiruarës. Prandaj jo vetëm që mbështesim rritjen e përfaqësimit në listat zgjedhore por nëpërmjet cilësisë së përfaqësimit tentojmë që të kemi më shumë kompetenca në vendimmarrje. Qëndrimi ynë për përfshirjen e femrave në listat zgjedhore do jetë në harmoni të plotë me partitë e shteteve të Bashkimit Evropian dhe do të përkrahim shembuj dhe praktika të shteteve të BE, jo vetëm në aspekt të listave për deputet, por edhe aspekt të punësimeve në administratën publike”, nënvizon Dauti.
Edhe nga Lëvizja BESA thonë se gjithnjë janë munduar të respektojnë kuotën ligjore për përfaqësimin e grave, por përtej kësaj kanë tentuar që në disa raste ta tejkalojnë edhe atë. Nga kjo parti shprehën të gatshëm të mbështesin çdo lloj ndryshimi që do të rris përfaqësimin e grave në institucione. Ndryshe, Parlamenti plotëson normën ligjore të përfaqësimit prej 40% të grave deputete ku nga gjithsej 120 deputetë, 48 janë gra. Megjithatë, asnjë nga partitë ose koalicionet që përfaqësohen në Parlament nuk drejtohet nga një grua. Në ekzekutiv, vetëm 5 nga gjithsej 27 funksione të kabinetit qeveritar u takojnë grave. Maqedonia nuk ka pasur asnjëherë një presidente grua. Vendi nuk ka pasur as kryetare të por as kryeministre, përveç, në kohën kur, për pozitën e fundit, dy herë nga dy javë në vitin 2004, Radmilla Shekerinska ka qenë ushtruese detyre.(koha.mk)