Në vite, numri i grave që janë pjesë e bordeve drejtuese ose të menaxhmentit ekzekutiv vjen duke u ulur, ndërsa rritet numri i grave të papunësuara për shkak të obligimeve në familje, po ashtu edhe shtohen barrierat për t’u punësuar, për shkak të përkatësisë gjinore. Aktivistët për të drejtat e grave thonë se kjo situatë ndërlikohet sa nga mentaliteti patriarkal i funksionimit të familjes, po aq sa edhe nga indiferenca e grave të pushtetshme që sa më shumë që ngjiten në pozita drejtuese, aq më të ulët e kanë ndjeshmërinë ndaj çështjeve gjinore
Evis HALILI
Shkup, 13 janar – Më pak të paguara për performaca të njëjta me burrat, të papuna se duhet të kujdesen për shtëpinë… Hendeku i pabarazisë gjinore vazhdon të thellohet. Në vite numri i grave që janë pjesë e bordeve drejtuese ose të menaxhmentit ekzekutiv vjen duke u ulur, ndërsa vjen duke u rritur numri i grave të papunësuara për shkak të obligimeve në familje, po ashtu edhe barrierat për tu punësuar për shkak të përkatësisë gjinore. Maqedonia radhitet si një nga vendet me përqindje të lartë të hendekut gjinor të punësimit, i cili është dyfish më i lartë sesa në vendet e BE-së. Sipas të dhënave zyrtare që nga viti 2013 e deri në vitin e kaluar përqindja e grave në borde drejtuese ka rënë, nga rreth 24 për qind në 16.7 për qind. Gjithashtu edhe në pozicione ekzekutive. Nëse në vitin 2013 pjesëmarrja në menaxhmentin ekzekutiv ishte 35,4 për qind, në vitin 2019 kjo shifër u ul me 28,2 për qind.
“Pasiviteti i grave është një prediktor i rëndësishëm sa i takon dallimeve mes pagave të grave dhe burrave. Hendeku mizor gjinor tek pagat arrin rreth 5 për qind, por po të kihen parasysh karakteristikat e dukshme të punonjësve ai rritet , që do të thotë se gratë që punojnë posedojnë karakteristika më të mira sesa burrat (nënat fitojnë më pak sesa baballarët). Hendeku gjinor i pagave mund t’i atribuohet vetë-përcaktimit të grave në pasivitet, diskriminimit dhe efektet nga karakteristikat e padukshme të burrave dhe grave që shpërblehen nga punëdhënësit” sqarohet në Programin e rishikuar të reformave në punësime të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Nga ana tjetër të dhënat zyrtare të Statistikave tregojnë se kategoria që është në kërkim afatgjatë të punës janë gratë, të cilat po ashtu nga ana tjetër dallohen nga një tipar tjetër i rëndësishëm – pasiviteti i tyre në tregun e punës. Por struktura e grave joaktive është veçanërisht e pafavorshme, rreth 2/3 e tyre kanë arsim fillor ose të ulët, i cili së bashku me periudhën e gjatë të mungesës në tregun e punës i vendos ato në një situatë veçanërisht të vështirë për t’u punësuar.
Arsyet kryesore të mos-pjesëmarrjes në tregun e punës tek gratë lidhen me kujdesin për fëmijët dhe të moshuarve. Nga sektori civil pohojnë se përkundër aktivizimit afatgjatë të tyre në avancimin e të drejtave gjinore dhe reduktimin e pabarazisë rezultatet nuk janë të kënaqshme. Xhane Kreshova, aktiviste për të drejtat e grave dhe drejtuese e organizatës Forumi i gruas për rajonin e Pollogut thotë se kjo situatë ndërlikohet sa nga mentaliteti patriarkal i funksionimit të familjes, po aq sa edhe nga indiferenca e grave që sa më shumë që ngjiten në pozita drejtuese, aq më të ulët e kanë ndjeshmërinë ndaj çështjeve gjinore.
“Është për të ardhur keq kur sheh sesi gratë që ‘luftojnë’ për të drejtat gjinore sapo marrin një post, ose bëhen deputete harrojnë premtimet. Nuk e ngrenë zërin, nuk reagojnë, në rastet më të këqija dhe heshtin duke i dhënë avantazh burrave me më shumë pushtet ose në parti. Ato as nuk marrin iniciativa në dobi të barazisë gjinore , apo edhe refuzojnë të jenë pjesë e tyre”, thotë Kreshova. Nga ana tjetër ajo shton se numri i madhe i grave të papuna ose në kërkim të një pune lidhet me mentalitetin dhe rregullat e pashkruara patriarkale, sipas të cilave është burri ai që duhet të punojë dhe gruaja të kujdeset për shtëpinë, të moshuarit.
“Shumë gjëra janë të vështira të ndryshojnë, sidomos në zonat rurale, ku rolet në familje janë të ndara, por edhe kushtet janë të tilla që nuk i japin zgjidhje. Çerdhet e fëmijëve nuk janë afër vendbanimeve dhe një gruaje i duhet të zgjedhë mes punës dhe fëmijës”, thotë Kreshova. (koha.mk)