“Në mostrën tonë prej 1.3 milionë pacientësh që përfshinin gati 3000 kirurgë, ne zbuluam se pacientët gra të trajtuara nga kirurgë burra kishin 15% shanse më të mëdha për rezultate më të këqija sesa pacientët gra të trajtuara nga kirurgët gra”, tha Angela Jerath, profesoreshë dhe epidemiologe klinike
Gratë që operohen nga një kirurg burrë kanë shumë më shumë gjasa të vdesin, të përjetojnë komplikime dhe të ripranohen në spital sesa kur një grua kryen procedurën, zbulon një hulumtim. Gratë janë 15% më të prirura të kenë një përfundim të keq dhe 32% më shumë gjasa për të vdekur, kur një burrë kryen operacion sesa kur një grua e kryen operacionin, sipas një studimi me 1.3 milionë pacientë. Gjetjet kanë ndezur një debat rreth faktit se operacioni në Britani mbetet një fushë mjekësie e dominuar jashtëzakonisht nga burrat. “Në mostrën tonë prej 1.3 milionë pacientësh që përfshinin gati 3000 kirurgë, ne zbuluam se pacientët gra të trajtuara nga kirurgë burra kishin 15% shanse më të mëdha për rezultate më të këqija sesa pacientët gra të trajtuara nga kirurgët gra”, tha Angela Jerath, profesoreshë dhe epidemiologe klinike. Gjetjet janë publikuar në revistën mjekësore JAMA Surgery.
Jerath shtoi: “Këto rezultate janë shqetësuese sepse nuk duhet të ketë dallime gjinore në rezultatet e pacientit, pavarësisht nga gjinia e kirurgut”.
Jerath dhe kolegët e saj analizuan të dhënat e 1.320.108 pacientëve në Ontario, të cilët iu nënshtruan 21 procedurave të zakonshme kirurgjikale të kryera nga 2937 kirurgë midis viteve 2007 dhe 2019, raporton Guardian. Për secilin prej 1.3 milionë operacioneve ata analizuan gjininë e secilit pacient dhe detajet se si kishte shkuar procedura e tyre dhe gjithashtu gjininë e kirurgut që e kreu atë. Ata zbuluan se burrat që kishin një operacion kishin të njëjtat rezultate, pavarësisht nëse kirurgu i tyre ishte mashkull apo femër. Megjithatë, gratë përjetuan rezultate më të mira nëse procedura do të ishte kryer nga një kirurge femër në krahasim me një kirurg mashkull. Nuk kishte dallime gjinore në mënyrën se si shkoi operacioni për burrat ose gratë e operuara nga një kirurge grua. Jerath shtoi se ndërsa “ka disa kirurgë të shkëlqyer burra që vazhdimisht kanë rezultate të mira, ajo që është shqetësuese është se kjo analizë sinjalizon një ndryshim real midis kirurgëve burra dhe gra në përgjithësi, ku praktika mund të ndikojë në rezultatet e përgjithshme të pacientit”.
Ata zbuluan se për gratë, trajtimi nga një kirurg burrë u shoqërua me një rritje prej 15% të gjasave për një rezultat të dobët sesa nëse ato trajtoheshin nga një kirurg grua. Megjithatë, burrat nuk përjetuan dallime nëse trajtoheshin nga një kirurg burrë apo grua. Për shembull, ndërsa 1.4% e grave që kishin një operacion kardiotorakal me një kirurg burrë vdiqën, më pak – 1% nga to vdiqën kur ishte përfshirë një kirurge grua. Në përgjithësi, pacientët gra kishin 16% rrezik më të lartë të komplikimeve dhe 11% rrezik më të lartë për rihospitalizim dhe 20% më shumë gjasa të qëndronin në spital më gjatë.