Shkup, 8 qershor – Teatri Shqiptar i Shkupit do të prezantohet në Festivalin e teatrit “Vojdan Çernodrinski” me pjesën “Gratë” me regji të Qëndrim Rijanit, si një prej 12 shfaqjeve të përzgjedhura në programin konkurrues të festivalit. “Gratë”, shkruar nga dramaturgu Robert Thomas, është një prej shfaqjeve më të arrira të Teatrit Shqiptar që është mirëpritur nga publiku brenda dhe jashtë vendit, shkruan gazeta KOHA.
Në të luajnë aktorët Teuta Ajdini-Jegeni, Drita Kaba Karaga, Amernis Nokshiqi, Vjollca Bekteshi Hamiti, Alida Alidemi, Zarije Jonuzi Çeliku, Mirlinda Saiti dhe Aida Elezi. Edicioni i 53-të i manifestimit është hapur të premten në mbrëmje, në shtëpinë e kulturës në Prilep me shfaqjen “Toka e askujt” të Teatrit Nacional Maqedonas me regji nga Danis Tanoviq. Po ashtu në konkurrencë për çmimet e festivalit do të garojnë edhe Teatri i Manastirit me pjesën “Doktor Faust” me regji të Andrash Urban, Teatri i Prilepit me pjesën “Të mallkuarit” me regji nga Martin Koçovski, Teatri i Fëmijëve dhe të Rinjve nga Shkupi me pjesën “Njëherë e ndërtova botën” me regji të Jane Spasiq, “Mbreti Vlladisllav” me regji të Boris Jankov – Teatri i Strumicës, Teatri Turk i Shkupit me pjesën teatrore “Mbreti Lir”, “Perëndia e masakrës” me regji të Nela Votosheviq – Teatri i Shtipit “Doni park” me regji të Robert Ristov – Teatri i Komedisë, “Tualeti i damave” me regji të Dejan Damjanovski – Teatri i Velesit, “Fluturimi mbi folenë e qyqes” me regji nga Risto Aleksovski – Teatri i Dramës dhe “Përvëlimi” me regji të Vlladimir Milçin – Teatër i pavarur.
Gjatë netëve të festivalit do të zhvillohen edhe dy tribuna me temë – “Kritika teatrore sot” dhe “Vendi dhe roli i dramaturgut në teatrot në Maqedoni”. Festivali i Teatrit mbyllet më 15 qershor, kur juria e përbërë nga Mimi Tanevska, Dragan Spasov dhe Jasna Novakov do të ndajë çmimet e këtij viti. (koha.mk)