Gratë afariste në Maqedoni kërkojnë themelimin e Fondit garantues për të mbështetur hapjen e bizneseve të reja nga ana e grave që fillimisht do të fillonte me punë si pilot projekt i vlefshëm 100 mijë euro
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 20 shtator – Gratë afariste në Maqedoni kërkojnë themelimin e Fondit garantues për të mbështetur hapjen e bizneseve të reja nga ana e tyre. Afaristet vlerësojnë se pas vetëpunësimit, si hap fillestar i sipërmarrjes, tani ka ardhur koha që shteti në mënyrë konkrete me të holla të ndihmojë gratë që kanë ide për të zhvilluar biznesin e tyre, shkruan gazeta KOHA.
“Ideja është që Fondi garantues me një shumë prej së paku 100 mijë euro të fillojë të punojë së pari si Pilot Projekt me qëllim që të shikohen se cilat gjëra duhet të përmirësohen gjatë vetë punës së tij. Presim që pas 30 shtatorit , në Maqedoni më shumë të mendohet për komponentat zhvillimore të shtetit, dhe më pak të debatohet për politikë“, thotë kryetarja e Shoqatës së grave sipërmarrëse në Maqedoni Valentina Disoska.
Sipas saj, mund të pritet që kjo çështje më seriozisht të debatohet në kuadër të Këshillit kombëtar për sipërmarrje të grave ku marrin pjesë më shumë dikastere qeveritare, organizata joqeveritare etj. Ky trup pritet së pari të vendosë kornizën juridike për themelimin e këtij fondi që do të paraqiste mbështetje të madhe për gratë sipërmarrëse , për shkak se në disa raste shteti edhe mund të rrezikojë duke toleruar gratë sipërmarrëse që për shkaqe objektive apo subjektive thjesht nuk kanë mundësi të kthejnë mjetet financiare, shton Disoska.
“Në shtetet e rajonit akoma mungon një fond i tillë garantues në favor të biznesbërjes së grave me përjashtim të një fondi të ngjashëm që para gjashtë vitesh funksiononte në Vojvodinë , i cili tregoi rezultate shumë të mira, por që nuk funksionon më . Shpresojmë që edhe në Maqedoni në vitin 2019, do të fillojnë të përkrahen konkretisht gratë që të fillojnë apo të zhvillojnë biznesin e tyre”, thekson Disoska. Nga ana tjetër kryetarja e Shoqatës “Krug”, e grave afariste nga Kroacia, Dragica Jerkov thotë se problemet e grave sipërmarrëse janë të ngjashme në të gjithë rajonin.
“Gratë në këtë rajon duke kaluar periudhën e vështirë të tranzicionit kanë qenë të detyruara të vetëpunësohen duke hapur bizneset e tyre . Në këtë mënyrë ato kanë zgjidhur çështjen e ekzistencës. Mbetet tani që të krijohet ambienti i favorshëm që do të nxisë gratë të realizojnë projektet e tyre duke krijuar vlera shtesë. Njëherazi një rëndësi të madhe që ato të përkrahen në aspektin moral dhe financiar me qëllim që të garojnë në botën e sipërmarrjes, për shkak se gratë shpesh nuk kanë pronë në emër të tyre dhe e kanë vështirë të arrijnë deri tek financat si rrjedhojë e mungesë së garancive bankare”, thekson Jerkov.
Sipas saj, gruaja është edhe bartëse e vlerave familjare , paraqet ardhmërinë e çdo shoqërie dhe komuniteti andaj edhe ka nevojë për përkrahje më të madhe, sidomos kur ajo merret me sipërmarrje sociale që nënkupton përkujdesjen për shtresat e ndjeshme.
Ndryshe, ekonomistët thonë se përfitimet e angazhimit të grave në sipërmarrje shkojnë përtej atyre të burrave. Gratë sipërmarrëse frymëzojë gratë e tjera për të ndjekur ëndrrat e tyre, ato e kanë më të lehtë të balancojnë punën dhe familjen, ndërsa investimi te gratë është një investim në të ardhmen në të mirën e të gjithë shoqërisë moderne. (koha.mk)