Urim HASIPI
Tetovë, 2 nëntor – Masat për vetëpunësim vazhdojnë të tërheqin të interesuar në Agjencionin për punësime në Tetovë. Tomisllav Trifunovski, koordinator në Agjencionin për punësime në Tetovë, tha se gati dhjetë vite kjo masë është mjaft atraktive për hapjen e biznesit nga persona të papunësuar deri në moshën 29 vjeçare. Ai tha se vlera e deritanishme që ka qenë 3 mijë euro, është rritur në 4 mijë euro, shkruan gazeta KOHA.
“Interesimi është shtuar dukshëm, ndërsa në ciklin e parë nga gjithsej 169 kandidatë, kanë kaluar mbi 50 kandidatë të cilët në mënyrë të suksesshme kanë regjistruar bizneset e tyre dhe janë aktiv në tregun e punës. Sot i kemi nënshkruar marrëveshjet me këta 50 persona. Tash është në vijim cikli i dytë dhe të gjithë që janë deri në moshën 29 vjeçare, mund të aplikojnë me biznes idetë e tyre. E tërë kjo realizohet në bashkëpunim me UNDP-në”, tha Trifunovski.
Në ndërkohë, Nebi Jusufi, projekt menaxher në Agjencionin Esa, i cili ka trajnuar aplikantët për të marrë grante të pakthyeshme, pohon se gjatë dy viteve të fundi,t në krahasim me vitet tjera, interesimi i shqiptarëve është dukshëm më i madh. Ai thotë se në bazë të trajnimeve të deritanishme, vërehet një interesim më i madh edhe tek shqiptarët që nuk ishte praktikë viteve të kaluara. “Nga ajo që kemi trajnuar, mund të them se ka dukshëm përmirësim te shqiptarët për këto grante. Mund të konfirmoj rritjen e interesimit të shqiptarëve për këto grante që jepen disa vite me radhë”, tha Nebi Jusufi.
Ndryshe, brenda vitit, në nivel republikan, jepen rreth 1 mijë grante të pakthyeshme, prej të cilëve 750 janë për biznese fillestare (vetëpunësim), ndërsa 250 për ata që e formalizojnë apo legalizojnë biznesine tyre. Viteve paraprake ka pasur një interesim shumë të vogël nga ana e shqiptarëve për të aplikuar dhe më pas edhe përqindja ka qenë e ulët e atyre që kanë fituar këto grante, ndërsa viteve të fundit edhe ata janë të interesuar që të marrin këtë hise që u takon si persona aktiv që kërkojnë punë vite me radhë. Vitin 2015 grante kishin marrë 53 persona nga Tetova, ndërsa vitin 2014 rreth 70 tetovarë kishin shfrytëzuar këto masa të Agjencionit për punësim në Tetovë, në kuadër të projektit për vetëpunësim, gjegjësisht mjete të pakthyeshme në vlerë prej 3 mijë euro. Masat për vetëpunësim kanë filluar që të aplikohen që nga viti 2007. Në Tetovë akoma numri i të papunësuarve pas selektimit të tyre në aktiv dhe jo aktiv është i lartë. Njohësit e këtyre rrethanave theksojnë se duhet që të hapen më shumë kapacitete prodhuese, gjegjësisht fabrika të cilët do të mundësonin punësimin e një numri të madh të rinisë. Në të dy afatet ka nga dy cikle. Në ciklin e parë janë ata që kanë ide për biznes dhe pas aplikimit, të njëjtit bëjnë biznes plan dhe më pas u caktohet këshilltar se si të realizohet projekti nga ideja në konkretizim. Në ciklin e dytë janë ata që kanë biznes dhe të njëjtit e formalizojnë.
“Pra, njerëz të cilët janë marrë me biznes, por tashmë vetëm të njëjtit e legalizojnë. Më në fund komisioni jep fjalën se të njëjtit i plotësojnë apo jo kriteret për të hapur biznesin. Në Agjencionin tonë kryhen trajnimet për përpilimin e planeve të biznesit të parashtruara nga kandidatët”, thonë nga Agjencioni për punësime. (koha.mk)