Qytetarët do të mund të marrin kredi të për vendosjen e dritareve me xhama të dyfishtë, izolimin e shtëpisë apo për aparate shtëpiake kursimtare të energjisë elektrike. Gjithashtu edhe amvisëritë që do të investojnë në teknologji të efikasitetit energjetik do të mund të aplikojnë edhe për grant europian, apo mjete të pakthyeshme në vlerë prej 20 për qind të investimit.
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 maj – Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim me tetë milion euro do të financojë efikasitetin energjetik në amvisëritë e Maqedonisë. Fillimisht, këto mjete do të plasohen përmes bankave vendore – Shparkase dhe Banka e Ohrit. Në Mënyrë shtesë do të sigurohen edhe katër milion euro të tjera që do të plasohen përmes bankave të tjera, shkruan gazeta KOHA. Ekspertët e energjetikës thonë se efikasiteti energjetik nuk nënkupton vetëm kursimin e energjisë, por edhe realizimin e aktiviteteve të njëjta apo edhe më të mëdha, me harxhimin energjisë së njëjtë apo edhe më të vogël të energjisë si dhe me ndotje më të vogël të ambientit përmes emitimit më të vogël të karbon dioksidit në atmosferë.
Njohësit e kësaj çështje, thonë se humbjet e energjisë së ngrohjes, vetëm përmes dritareve, arrijnë deri në 50 për qind të humbjeve totale të objektit për banim. Andaj edhe theksohet rëndësia e madhe e dritareve që janë energjetikisht efikase, të cilat krahas zvogëlimit të harxhimeve për ngrohje, kontribuojnë edhe për rritjen e komoditetit të jetesës.
Gjithashtu dritaret me dy apo edhe tre xhama jo vetëm që kursejnë të holla, por ulin dukshëm edhe zhurmën.
Në ndërkohë, qytetarët do të mund të marrin kredi për vendosjen e dritareve me xhama të dyfishtë, izolimin e shtëpisë apo për aparate shtëpiake kursimtare të energjisë elektrike. Gjithashtu edhe amvisëritë që do të investojnë në teknologji të efikasitetit energjetik, do të mund të aplikojnë edhe për grant evropian, apo mjete të pakthyeshme në vlerë prej 20 për qind të investimit.
“Çdo euro e investuar në efikasitetin energjetik kursen 2.2 euro në prodhimtarinë e energjisë elektrike, andaj prej këtu rrjedh edhe logjika ekonomike e implementimit të efikasitetit energjetik. Nëse në të kaluarën rritja ekonomike shikohej në prizmin e rritjes së konsumit të energjisë, sot kemi një situatë ndryshe. Aktualisht, zhvillimi ekonomik matet në atë mënyrë që për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, synohet ulja e konsumit të energjisë”, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev.
Sipas tij, Maqedonia në të ardhmen angazhohet të zvogëlojë konsumin e energjisë për 14.3 për qind përmes realizimit të projekteve për rritjen e efikasitetit energjetik dhe rritjen e nivelit të energjisë nga burimet e rinovueshme.
Nga Qeveria thonë se do të investohet në zgjerimin e kapaciteteve të Centralit me erë në Bogdanci, me çka do të fitohen 27 megavat energji. Në hapësirë prej 20 hektarë, në kuadër të Termocentralit Osllomej në Kërçovë do të vendosen impiante për prodhimin e 10 megavat rrymë. Paralajmërohen edhe investime të tjera në prodhimin e energjisë nga diell, era dhe ujit siç janë ndërtimi i hidrocentraleve Çebren dhe Galishte.
Ato do të ndërtohen me 220 milion euro, ndërsa të hollat që do të sigurohen nga Elektranat e Maqedonisë.
Ndryshe, vlerësimet e organizatës “Habitat- Maqedoni”, tregojnë se banesave kolektive në Maqedoni ju nevojiten investime prej së paku 300 milion euro që do të shpaguhen në periudhë prej 5 deri 8 vjet, me kursimin prej 30 deri 50 për qind të konsumit të energjisë për ngrohje dhe ftohje, që paraqet 60-70 për qind të konsumit të përgjithshëm të amvisërive në Maqedoni. Gjithashtu edhe ulja e konsumit të energjisë në amvisëri e zvogëlon dukshëm emitimin e dioksid karbonit dhe ndotësve të tjerë të ajrit. Me fjalë të tjera, investimi në efikasitet energjetik ul edhe ndotjen si problem të madh në stinën e dimrit në Maqedoni. (koha.mk)