Lëvizja BESA propozon që grafën etnike ta vendosë në dokumentet për identifikim personal, shumica e partive parlamentare nuk kanë asgjë kundër, por a mundet ky propozim të sjell ndasi të reja mes etniteteve? A po josh VMRO-DPMNE me mbështetjen ndaj ligjit për krijimin e një shumice të re parlamentare?
Xhenur ISENI
Shkup, 20 shkurt – Grafa etnike në letërnjoftime nuk do të jetë nxitje për ndasi në bazë etnike, thonë nga Lëvizja BESA, partia e cila inicon që në letërnjoftime të vendoset edhe përkatësia etnike e gjithë bashkësive etnike që parashikohen në bazë të Kushtetutës. Edhe LSDM vlerëson se propozimi duhet të pranohet, sepse jemi shtet multietnik. Mbështetje mori edhe nga partneri i koalicionit – BDI. VMRO-DPMNE gjithashtu nuk sheh problem që në dokumentet personale qytetarët të identifikohen në bazë etnike, por nuk pranojnë që në to të jetë “E Veriut”, sepse ende është herët për këtë. Edhe partitë nga blloku opozitarë shqiptarë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e mbështesin propozimin për grafën etnike në letërnjoftime. Kundër propozimit janë shprehur nga “E Majta”, e cila dorëzoi mijëra amendamente me qëllim për ta bllokuar sjelljen e ligjit. Ky propozim-ligj ishte edhe kushti i Lëvizjes BESA ndaj LSDM-së për të bërë koalicion në zgjedhjet e kaluara parlamentare.
Kastriot Rexhepi nga Lëvizja BESA thotë se grafa etnike në letërnjoftime është dakorduar para fillimit të ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij, ligji nuk do të shkakton nxitje për ndasi më të mëdha në baza etnike, por mund të jetë vetëm vlerë shtesë. “Nëse dëshirojmë koncept qytetarë nuk duhet në Kushtetutë të numërohen emrat e bashkësive etnike, ndërsa ne i kemi potencuar, pastaj ne veçmë në një mënyrë përkatësinë etnike e kemi edhe në evidencën e regjistrimit të ardhshëm ku qytetarët mund të deklarohen për përkatësinë etnike”, tha për KOHA, Rexhepi. Por mes tjerash, ai thotë se nuk do të pranojnë amendamente të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, duke aluduar në amendamentin e propozuar nga VMRO-DPMNE që mos të figuron emri i ri i shtetit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, ish ministër i MPB-së, thotë se nuk ka nevojë që në letërnjoftime qytetarët të ndahen në baza etnike. “Në dokument për identifikim para organeve shtetërore, policia, gjykata, banka etj, cila është arsyeja të shkruani në letërnjoftim nëse jeni turq, rom, serb, maqedonas apo shqiptarë? Duhet të ketë ndonjë ide me atë që të realizohet ndonjë e drejtë. Më duket se shumë në mënyrë jo racionale dikush me këtë temë tenton të marrë poenë politik”, thotë Trajanov. Ai shton se kjo mund të sjell ndasi të reja. “Polarizimi, mbyllja në geto etnike është veprim i papërgjegjshëm. Nëse vendosim shenjë të tillë në letërnjoftime, kjo mund të jetë arsye për ndasi të reja, polarizim në baza etnike, trajtim të ndryshim të kenë qytetarët”, tha Trajanov në një pres konferencë.
Partitë nga blloku shqiptarë vlerësojnë se përkatësia etnike duhet të vendoset në dokumentet personale që të parandalohen manipulimet me përkatësinë etnike gjatë punësimeve në administratë sipas principit të përfaqësimit të drejtë. Opozita shqiptare disa herë ka dhënë shembuj se maqedonasit deklarohen si shqiptarë vetëm që të iu përshtaten konkurseve për punësim. Edhe mediumet kanë paraqitur mijëra raste për manipulimin me përkatësinë etnike gjatë punësimeve.
TENTIM PËR TË KRIJUAR SHUMICË TË RE, VMRO-DPMNE MBËSHTETË LIGJIN?
VMRO-DPMNE gjatë javëve të fundit po pretendon se i ka deputetët e nevojshëm për të krijuar shumicë të re parlamentare, por nuk tregon se me cilët deputet të shumicës aktuale po bisedon për të njëjtën. Ata njëherit mbështesin edhe propozim ligjin e propozuar nga Lëvizja BESA rreth vendosjes së grafës etnike në letërnjoftime. A mund të jetë kjo mbështetje si joshje ndaj deputetëve të Lëvizjes BESA për të krijuar shumicë të re? Analisti politik, Arben Llalla mbështetjen e VMRO-DPMNE-së ndaj pr/ligjit për letërnjoftime nuk e shikon si tentativë për të krijuar shumicë të re. Ai mes tjerash thotë se shënimi i grafës etnike në letërnjoftim është diçka shumë pozitive.
“Lëvizja BESA nuk e ka propozuar grafën etnike pasi hyri në qeveri, por e ka pasur kusht për koalicionin parazgjedhor me LSDM. Shënimi i grafës etnike në letërnjoftim është diçka pozitive për të gjithë etnitë në Maqedoni, qofshin maqedonas, turq, vllah, boshnjak, romë, etj. Mbështetja që VMRO-ja mund t’i japi propozimit të BESË-s unë nuk e shikojë si një tentative për të krijuar një shumicë të re apo qeveri të re me VMRO-n. Nëse do krijohet shumicë e re rolin kryesorë e ka BDI e cila ka numrin më të madh të deputetëve shqiptar, 15. Nuk shikojë rrezikshmëri që të bjerë qeveria e kryesuar nga LSDM-ja, por mund të ndodhë diçka e tillë vetëm nëse LSDM dhe BESA në zgjedhjet vendore të 3 Tetorit do i hyjnë ndonjë aventure të rrezikshme duke mos mbështetur atje ku mundet në bazë të një marrëveshje në raundin e dytë kandidatët e partnerit të koalicionit të BDI. Atëherë mund të themi se BDI ka të drejtën dhe numrat për të rrëzuar LSDM me BESË-n nga qeveria e për të sjellë shumicë të re të kryesuar nga VMRO dhe BDI. Por përsëri e them LSDM me BDI do udhëheqin qeverisjen deri në fund të mandatit katërvjeçarë”, ka deklaruar për KOHA, Arben Llalla, analist.
Kryeministri Zoran Zaev thotë se nuk është asgjë kontestuese në kërkesën që përkatësia etnike të vendoset në letërnjoftime, por potencohet se mund të jetë problem sepse me letërnjoftime mund të udhëtohet në disa vende të rajonit. Por megjithatë, siç thotë, kjo nuk është arsye e mjaftueshme që përkatësia etnike të mos vendoset në letërnjoftime. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski gjatë vikendit tha se insiston që të sillen këto ndryshime ligjore dhe në letërnjoftimin e tij të qëndron se është maqedonas. Sipas tij Levica i shërben Zaevit dhe dëshiron të pengon që përkatësia etnike të gjendet në dokumentin personal. Pastaj të martën Mickoski tha se VMRO-DPMNE nuk do të voton për ndryshimet në ligjin për letërnjoftime nëse nuk pranohet amendamenti i tyre, në dokumentet e reja të mos shfrytëzohet “E veriut”. Partia opozitare rikujton që ende nuk ka kaluar afati prej pesë viteve në të cilën duhet të përmbushen obligimet nga Marrëveshja e Prespës që edhe në dokumentet personale të vendoset emri i ri kushtetues.
Kryeministri duke komentuar kushtëzimin e Mickoskit për “E Veriut”, tha se sipas Kushtetutës vendi jonë është Republika e Maqedonisë së Veriut. Nga Levica të cilët dorëzuan 1230 amendamente ndaj propozim ligjit thonë se nuk punojnë për liderët partiak por për popullin dhe pranojnë që amendamentet që i kanë propozuar kanë për qëllim bllokimin e ligjit. Në letërnjoftimet e tanishme qëndron emri dhe mbiemri i personit, shtetësia, data e lindjes dhe data e validitetit të dokumentit, gjinia, numri amë, numri i letërnjoftimit si dhe vendi i lindjes dhe adresa. Përveç identifikimit, letërnjoftimi mund të shfrytëzohet edhe për kalimin e kufirit me ato shtete të cilat Maqedonia e Veriut ka lidhur marrëveshje të tilla. Me letërnjoftim mund të udhëtohet në Serbi, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, BeH.
SHEMBUJ ME LETËRNJOFTIMET NË VENDET E BOTËS?
Në letërnjoftimet e vendeve fqinje ka të dhëna për grupin e gjakut, gjatësinë, ngjyrën e syve. Në asnjë shtet të BE-së përveç Suedisë, nuk ka të dhëna për përkatësinë etnike ose fetare, ndërsa një pjesë e shteteve të Unionit nuk kanë letërnjoftim të obligueshëm. Përkatësinë etnike e kemi te letërnjoftimet kineze edhe atë për një nga bashkësitë zyrtare etnike në vend. Në shumë vende tjera që ka pasur grafë etnike ose fetare gjatë shekullit 21 e kanë hequr këtë praktikë, sepse është treguar si diskriminues.
Kështu në letërnjoftimet bullgare figuron ngjyra e syve, në atë boshnjake dhe greke është grupi i gjakut. Në Austri përveç ngjyrës së syve është edhe gjatësia. Në Belgjikë në letërnjoftime hynë edhe statusi martesor. Në Çeki në kërkesë të shfrytëzuesit mund të përfshihet edhe titulli akademik. Me dëshirë të shfrytëzuesit mund të figuron edhe statusi martesorë në dokument. Edhe në Sllovaki dhe Gjermani figuron titulli akademik. Në Gjermani figuron ngjyra e syve, gjatësia dhe pseudonimi. Në Qipro është emri dhe mbiemri i të atit por figuron dhe përkatësia etnike. Në Poloni dhe Portugali emrat e prindërve. Në Irak përveç emrat e prindërve figurojnë edhe emrat e gjyshërve. Në Singrapor figuron edhe grafa e racës.
Para vitit 2005, në letërnjoftimet greke kishte profesion, përkatësia fetare, emri i bashkëshortit, forma e kokës, ngjyra e syve dhe flokëve, por të njëjtat u hoqën. Heqja e përkatësisë fetare shkaktoi protesta nga kisha ortodokse greke. Në Indonezi deri në vitin 1998 në letërnjoftimet ka shkruar nëse personi është ish i burgosur politik dhe nëse ka përkatësi etnike kineze, por këto dispozita diskriminuese u hoqën. Në Indonezi ka status martesorë, përkatësi fetare dhe grupi i gjakut. Në Izrael deri në vitin 2015 ka pasur përkatësi etnike, por më pas është hequr. Në Turqi nga viti 2017 nuk figuron statusi martesorë, përkatësia fetare, grupi i gjakut etj. Edhe në Maltë mund të gjejmë shembullin e grafës etnike. (koha.mk)