Shkup, 29 nëntor – Dy bastore “Sport Lajf” në Shkup mbrëmë janë plaçkitur në mënyrë identike dhe pothuaj në të njëjtën kohë nga ana e personave të maskuar dhe të armatosur. Siç kumtoi MPB-ja, grabitja e parë ka ndodhur në bastoren sportive “Sport Lajf”, që gjendet në rrugën “Franc Preshern” në lagjen Vllae, ku tre persona të maskuar, të armatosur me pistoleta, kanë kryer grabitje, me ç’rast nga të punësuarit i kanë marrë paratë nga qarkullimi ditor, e pastaj e kanë braktisur vendin e ngjarjes. Grabitjen e dytë në ora 21:40 e ka paraqitur një i punësuar nga bastorja sportive “Sport Lajf” në rrugën “London”, në lagjen Taftalixhe, i cili tha se tre persona të maskuar me kërcënim me pistoleta kanë kryer grabitje, me ç’rast i kanë marrë paratë nga qarkullimi ditor, e pastaj e kanë braktisur vendin e ngjarjes. Po ndërmerren masa për gjetjen e autorëve të këtyre dy veprave.