Pas grabitjes së bujshme në aeroportin e Rinasit të sasisë së konsiderueshme të 8 milionë eurove të martën e kaluar, një grup prej deputetëve që i janë bashkuar Kuvendit pas djegies së mandateve nga opozita, i janë drejtuar sot me një letër kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, duke i kërkuar interpelancë me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshajn.
Në kërkesën e depozituar në Kuvend, interpelanca do të parashtrohet nga deputeti Ralf Gjoni, ndërsa zhvillimi i saj do të bëhet nga deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi.
Interpelanca ka si synim marrjen e shpjegimeve lidhur me planin e masave të ndërmarra nga institucionet ligjzbatuese për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, si dhe për zbatimin e legjislacionit në fuqi për ruajtjen e rendit publik në ambientet e një objekti strategjik të rëndësisë së veçantë, si është aeroporti ndërkombëtar i Tiranës, “Nënë Tereza”. /Lapsi