Abuxha, 22 shkurt – Sulmues të armatosur kanë liruar 53 persona, duke përfshirë gra dhe fëmijë, të cilët janë rrëmbyer në një autobus në Nigeri, kumtuan autoritetet lokale, ndërsa dhjetëra persona tjerë, të rrëmbyer nga kompleksi shkollor në një incident tjetër, ende nuk dihet se ku gjenden.
Bandat kriminele në pjesën verilindore dhe qendrore të Nigerisë e kanë rritur dhunën në vitet e fundit, duke përfshirë rrëmbime, dhunime dhe grabitje.
Javën e kaluar persona të armatosur kanë rrëmbyer 53 persona, prej të cilëve 20 gra dhe nëntë fëmijë, të cilët kanë udhëtuar me autobus drejt fshatit Kundiu në shtetin Niger.
Tani për tani nuk është e njohur nëse janë paguar para për ta, por përfaqësues qeveritarë paraprakisht deklaruan se nuk do të paguajnë.
Në një incident tjetër, 42 persona, duke përfshirë edhe 27 nxënës, janë rrëmbyer javën e kaluar nga kompleksi shkollor dhe fati i tyre deri tani është i panjohur.
“Nxënësit nga kolexhi Kagara ende janë në duart e rrëmbyesve të tyre, por po bëhet përpjekje që të sigurohet lirimi i tyre”, tha zëdhënësja e guvernatorit të Nigerit, Meri Noel-Berzhe.
Aeroplani, i cili duhej të merr pjesë në misionin vëzhgues lidhur me operacionin e shpëtimit, u rrëzua dje në afërsi të kryeqytetit të Nigerisë, Abuxha, me ç’rast jetën e kanë humbur shtatë persona.
Javën e kaluar sulmuesit kanë vrarë 10 persona dhe rrëmbyen të paktën 23 të tjerë në dy sulme të ndara në këtë shtet.
“Jemi dëshmitarë të sulmeve të tilla pothuaj çdo ditë dhe kjo është brengosëse”, tha atëherë Noel-Berzhe.