Grabiten 4.5 milionë franga nga makina transportuese e parave

9

Në korrikun e këtij viti në Thunsteten të Kantonit të Bernës, nga një makinë speciale për transportimin e të hollave janë vjedhur më shumë se 4.5 milionë franga. Ky rast i grabitjes deri më sot është mbajtur i fshehur nga publiku.

Sipas policisë, lajmi është mbajtur në fshehtësi për shkak të rrezikut se publikimi i tij do të vështirësongte në mos edhe pamundësonte hetimet.

Paratë e vjedhura nuk janë gjetur akoma. Ndërsa rasti u bë publik pasi që njëri nga grabitësit, i cili ka pranuar veprën, kishte bërë ankesë në Gjykatën Federale që të lirohej nga paraburgimi ku po mbahet, transmeton albinfo.ch Por, Gjykata në fjalë e ka kundërshtuar për shkak të rrezikut nga fshehja e gjurmëve, që mund të kërcënonte në rast të lirimit të tij.

Paratë janë vjedhur më 1 korrik nga makina transportuese. Vjedhja duket se nuk kishte qenë e vështirë të realizohej pasi që shoferi i makinës transportuese kishte bashkëpunuar me vjedhësit.

Ndërkaq, një pjesëmarrës tjetër, që ka pranuar veprën, ka ndihmuar që paratë të kalonin në një makinë tjetër për t`i transportuar në një garazh në Rickenbach të Lucernit, përcjell albinfo.ch.

Edhe një pjesëmarrës i tretë është duke u mbajtur në paraburgim në Çeki. Ende nuk është arritur marrëveshje për ekstradimin e tij në Zvicër.

Pasi që grabitja qe planifikuar në Kantonin e Solothurnit, hetimet është duke i zhvilluar Prokuroria Publike e Solothurnit.

Comments are closed.