“Unë jam një femër më shumë fat, bashkëshorti im jo vetëm që s’ka qenë kurrë pengesë, por më ka shtyrë dhe mbështetur në maksimum. Nuk do t’ja kisha dalë kurrë po të mos kisha atë në krah. Ai pas kompozitorit tim Alban Arifit, është mbështetja ime më e madhe”
Bisedoi: Blerand REXHEPI
Govi Reka, është këngëtarja nga Tropoja, e cila duket se i është përkushtuar totalisht muzikës. Vetëm brenda 4 muajve ka sjellë 4 klipe dhe publiku e do, e do dhe kjo duket që tek mbrëmjet ku është e ftuar, angazhimet që ka dhe duartrokitjet që merr sa herë që mbyll një këngë live. Govi e dashuron muzikën live dhe e shikon si pjesë të pandashme të sajën. Ajo është e martuar, ka dy djem të vegjël dhe bashkëshortin e shikon si mbështetjen e saj më të madhe në rrugën e saj. Njihuni me Govi Rekën përmes intervistës dhënë për InfraRed të gazetës KOHA!
KOHA: Govi, dua ta nis intervistën me një pyetje paksa personale, ke një emër mjaft të veçantë, dhuratë e kujt është?
Govi është shkurtimi i emrit tim, kështu ka dashur vëllai im që të më thërrasin. Emri im i gjatë është Rugova, dhuratë nga gjyshja dhe daja im i shtrenjtë, të cilët fatkeqësisht nuk jetojnë më!
KOHA: Kemi kohë që duam të realizojmë këtë intervistë dhe gjatë gjithë kohës ke qenë me impenjime, çfarë e mban Govin kaq të impenjuar?
Padyshim që angazhimet e shumta që kam, jam thuajse gjithmonë me valixhen gati.
KOHA: Katër klipe në një periudhë kohore prej 4 muajsh, deri në fund të vitit do jemi tek i 12-i?
Po pse jo. (qesh)
KOHA: Më fol pak më shumë për “Çikë tropoje” dhe “Pa dashni m’ke lan”, sepse di që i këndon i madh i e vogël…?
“Çikë tropoje” një ndër këngët e mia të preferuara, sepse unë jam çikë Tropoje dhe shumë krenare për këtë pjesë. “Pa dashni mke lan” është balada më e pëlqyer e imja nga publiku dhe kjo më jep një kënaqësi shumë të madhe.
KOHA: Çfarë ka bërë Govi jashtë asaj që reflekton ekrani në klipet që transmetohen?
Govi ka bërë 17 vite shkollë. Kam krijuar familje dhe u jam përkushtuar me një dashuri të pafundme atyre që më presin gjithmonë me lumturi, bashkëshortit dhe fëmijëve të mi, etj.
KOHA: Ti je e martuar dhe ke dy djem. E ndjekin mamin e tyre në televizion kur transmetohen klipet?
Djali i madh që është 6 vjeç padyshim që po e kjo i fal shumë gëzim. I vogli është vetëm 8 muajsh, ai më ndjek mua në shtëpi kur i këndoj.
KOHA: Govi, bashkëshorti nuk ka qenë pengesë për karrierën tënde apo ai të ka dhënë mbështetjen më të madhe?
Unë jam një femër më shumë fat, bashkëshorti im jo vetëm që s’ka qenë kurrë pengesë, por më ka shtyrë dhe mbështetur në maksimum. Nuk do t’ja kisha dalë kurrë po të mos kisha atë në krah. Ai pas kompozitorit tim Alban Arifit, është mbështetja ime më e madhe.
KOHA: Në përgjithësi, këngët ngjajnë me njëra-tjetrën e klipet po ashtu. Çfarë beson se ke bërë ndryshe nga të tjerët?
Unë përpiqem të bëj atë që dashurojnë ata që më duan, secili artist ka të veçantën e vet. Unë punoj me shpirt, kjo është ajo që më mban gjithmonë të ingranuar.
KOHA: Cilën nga këngët e tua e ke më për zemër?
Secila ka rëndësinë e vet tek unë, por ajo që duan më së tepërmi, është dashuria që kanë për mua ata që më duan.
KOHA: Di që po sjell edhe një këngë të re apo jo? Do të jetë bashkëpunim, solo? Na zbulo ndonjë detaj..!
Është një bashkëpunim që do ketë shumë sukses, por dua të mbetet surprizë.(Buzëqesh)
KOHA: Govi di që je edhe një tekstshkruese mjaft e mirë, e gjen veten më mirë në të shkruar apo në të kënduar? Ndonjë tekst i yti që ka “shkundur” këdo e ka dëgjuar?
Unë e gjej veten tek të dyja, me po të njëjtin pasion e të njëjtën dashuri. Nuk mund t’i ndaj.
KOHA: Me kë mendon se ngjan në stil e në interpretim? Apo nuk do të kesh ngjashmëri me askënd?
Unë i ngjaj vetëm Govi Rekës.
KOHA: Në thelb, ti bën muzikë për veten apo për të tjerët?
Unë bëj muzikë për veten time duke u bazuar tek dashuria e fansave të mi. Pa ata unë jam asgjë.
KOHA: Për çfarë mendon më shumë një këngëtare si Govi Reka?
Rritja në karrierë.
KOHA: Thjesht, duke të parë në klipet e tua, ti më jep përshtypjen e një femre të guximshme dhe të fortë. Çfarë të karakterizon tjetër?
Dashuria për njerëzit dhe mirësia që kam në shpirt për çdo qenie njerëzore.
KOHA: Çfarë tjetër duhet të dimë për ty?
Govi Reka po vjen, ky është vetëm fillimi.
KOHA: Thonë që jeta e këngëtarëve është më shumë qejf. Është e tillë edhe jeta jote?
Qejfi më i madh është kënaqësia e njerëzve për të cilët këndon live, jo kënaqësi e thjesht, do të thosha kjo m’a gëzon shpirtin në çdo skaj të tij. Pjesa tjetër është lodhje e pafundme.
KOHA: Për të ardhmen, çfarë do të dëshiroje?
Shëndet e jetë për të gjithë ata që më rrethojnë. Do veçoja babain tim e më pas familjen që janë njerëzit më të shenjtë në këtë botë për mua ..
KOHA: Më bëj një mbyllje të bukur të kësaj interviste…
Do ta quaja një bashkëbisedim që më bëri të ndjehesha shumë komode. Unë të falënderoj për ftesën e këtij bashkëbisedimi sa profesional aq edhe miqësor. Faleminderit!