Kreu i Gostivarit, Arben Taravari, në një prononcim për gazetën KOHA thotë se është në pritje të një takim të paralajmëruar nga vet kryeministri me qëllim që të ballafaqohen argumentet dhe, siç shprehet ai, të sqarohet se kush në fakt e ka gabim. Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë se në agjendën e kryeministrit nuk ka të paraparë ndonjë takim me kreun e Gostivarit
Destan JONUZI
Shkup, 16 mars – Ministria e Arsimit më 18 shkurt ia ka marrë për herë të dytë kompetencat Komunës së Gostivarit, me arsyetimin se janë konstatuar parregullsi gjatë procedurës së shkarkimit dhe emërimit të drejtorëve. “Jemi të zhgënjyer nga veprimi antiligjor i kryetarit të Gostivarit, i cili për fat të keq dështoi në kryerjen e obligimeve”, kumtoi Ministria e Arsimit, në arsyetimin e saj. Ishte pikërisht kjo arsyeja, që më 20 shkurt, kreu i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, anuloi takimin me kryeministrin Zoran Zaev, në të cilin do të diskutohej për kandidatin konsensual për president. Ndërkohë që kryeministri Zaev deklaroi se si një ish kryetar komune (Strumicës), është i vetëdijshëm se çka nënkupton marrja e kompetencave për cilëndo komunë pa marrë parasysh a është ajo Struga, Kumanova, Gostivari…, dhe paralajmëroi se do të kërkohet zgjidhje në takimin e përbashkët me kryetarin e Gostivarit dhe ministrin e Arsimit. “Gostivari është një nga qytetet më të mëdha në shtet dhe se nuk do të lejojë dallimet politike të jenë pengesë për zhvillim në cilindo mjedis”, deklaroi Zaev, pas dështimit të takimit me Selën.
Edhe përkundër kësaj deklarate nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë se në agjendën e kryeministrit nuk ka të paraparë ndonjë takim me kreun e Gostivarit Arben Taravari dhe Ministrinë e Arsimit, Arbër Ademi. Ndërkaq, nga ana tjetër kreu i Gostivarit, Arben Taravari në një prononcim për gazetën KOHA thotë se është në pritje të një takim të paralajmëruar nga vet kryeministri me qëllim që të ballafaqohen argumentet dhe, siç shprehet ai, të sqarohet se kush në fakt e ka gabim
“Nuk ka pasur një takim të tillë. Përpos asaj që tash është hera e dytë që na merren kompetencat. Ne kemi vepruar në bazë të ligjit dhe rregullave që vlejnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kemi qenë shumë të vëmendshëm këtu duke angazhuar jurist me përvojë, njerëz të cilët kanë punuar në arsim vite me radhë dhe përpos asaj që kryeministrit i dërguam të gjitha materialet në lidhje me ndryshimet e drejtorëve në Gostivar, jo vetëm kryeministrit por edhe 7 ambasadave kryesore në Republikën e Maqedonisë së Veriut me të gjitha dokumentet, por përsëri nuk kemi pasur me kryeministrin asnjë lloj bisede lidhur me këtë, përveç asaj që tha përmes mediave se duhet të respektohen ligjet”, deklaroi Taravari për gazetën KOHA. Ai thotë se është që të respektohet ligji, por se i njëjti të vlejë njësojë si në Gostivar, ashtu edhe në Tetovë, Strugë, Kavadar, Strumicë etj
“Unë e pres atë takim bashkë me ekipin tim me të cilët kemi vepruar në anulimin e konkurseve njësojë si kur se ka anuluar vet ministri i arsimit, duke i bërë konkurset ata kanë gabuar në emri të drejtorëve kur i kishin kompetencat edhe në radhë të parë kur i morën, i kanë shpallur vetëm në dy gazeta, ndërsa duhet të shpallen në tre gazeta, pas asaj vetë ministri arsimit ka anuluar një konkurs, dhe në bazë të asaj si ka anuluar ai ashtu i kam anuluar edhe unë dhe pres që kryeministri të thërret në atë takim dhe ti nxjerrim argumentet dhe faktet dhe të shihet se kush ka vepruar ashtu si duhet dhe kush ka gabuar. Marrja e kompetencave për së dyti herë është vetëm se vendim politik i ministrit i cili e dinë se ka gabuar por ka pasur presion prej strukturave partiake të BDI-së, pasi që e humbi Gostivarin”, thekson Taravari. Duke u thirrur në “revanshizmin” politik, Taravari thotë se kompetencat i janë marrë edhe për arsye se partia të cilës i takon ai është në epërsi 3 me 1 ndaj BDI-së në qytetin e Gostivarit.
“Nuk ka pas punë që pushteti qendror nuk e ka penguar Gostivarin, aty ku kanë mundur të pengojnë nuk kanë lënë pa penguar, kompetencat e Kulturës nuk i kthehen Gostivarit, kompetencat në arsim i merren dy herë, kjo nuk ka ndodhë në historinë e Maqedonisë së Veriut, që kompetencat të merren për së dyti herë. Vazhdimisht ka tendenca për ti marrë kompetencat edhe të urbanizimit, por atje nuk mund të gjejnë asnjë lëshim, kemi tentuar dhe kemi luftuar me mafinë urbane që të mbajmë balancë mos ndodhe asgjë e pa ligjshme”, shprehet Taravari. Investimet e Qeverisë, shton më tej ai, për Komunën e Gostivarit vitin e kaluar kanë qenë 35 mijë euro, ndërsa investimet kryesisht janë bërë me para vetanake të komunës dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, respektivisht ambasadave.
“Ndihmën e çdo kujt e kemi pas përveç ndihmës së shtetit. Mos harrojmë se buxheti i shtetit mbushet edhe paraqet e qytetarëve, pa marrë parasysh se kush e udhëheq komunën e Gostivarit, Qeveria duhet të sillet njësojë me të gjithë kryetarët e komunave pa marrë parasysh se a janë ato të pozitës apo opozitës. Ato i marrin parat e qytetarëve dhe duhet të shpërndahen në mënyrë proporcionale në të gjitha qytetet. Por, kemi qenë absolutisht të diskriminuar”, nënvizoi Taravari. Komuna e Gostivarit është rast unik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku brenda një viti i merren dy herë kompetencat në arsim. Deri më tani nuk ka ndodhur që një komune ti merren dy herë kompetencat në arsim apo ndonjë sektor tjetër. (koha.mk)