Shkup, 17 shtator – Mensur Jakupi nuk është më trajner i Gostivarit. I njëjti para pak çastesh ka dhënë dorëheqje, ndërsa arsyet për këtë vendim i ka treguar në profilin e tij zyrtar në “Facebook”. Ja postimi i Jakupit dhe arsyet e tij për dorëheqjen.
“Jap dorëheqje nga pozicioni i trajnerit të KF Gostivari dhe arsyet janë sportive. Pas dy humbjeve radhazi mendoj se është vendim me arsye që të tërhiqem. Edhe pse e filluam mirë kampionatin, dy ndeshjet e para fitore në Dibër kundër Korabit, dhe fitore ndaj ‘Skopjes’, pastaj u plasuam edhe në 1/16 e kupës, duke eliminuar Teteksin në Tetove, por dy humbjet e fundit janë shkasë për dorëheqjen time. Pasardhësit tim i dëshiroj suksese, kurse futbollistëve fat në vazhdim të kampionatit në mënyrë që të ndihmojnë klubin të ketë vetëm rezultate pozitive. Falënderojë anëtarët e kryesisë për mbështetjen që ma dhanë dhe ju dëshiroj suksese në punë”, shkruan Jakupi.
“Largohem krenar pas tre viteve, duke dhënë shumë mund e sakrificë. Ishin vite ku klubi kishte kriza të llojllojshme, por unë nuk u dorëzova, isha gjithmonë në shërbim të klubit dhe gjithmonë do të jem në shërbim kur e kërkon nevoja. Gjatë rikthimit në ligën e dytë, vitin e kaluar e menaxhuam me shumë sukses, por lidhja e referëve me ‘dhunë’ na u mori të drejtën për tu ngjitur në ligën e parë, megjithatë edhe tani klubi është në rrugë të mirë për tu zhvilluar. Gjatë këtyre viteve unë kisha edhe menaxhimin sportiv ku bashkë me njerëzit që u angazhuan në ngritjen e klubit kemi bërë shumë punë për të ardhmen, duke zhvilluar edhe talentin e futbollistëve që vijnë nga Akademia, tek e cila punohet me profesionalizëm të madh. Aty punojnë 8 trajnerë dhe arritëm që në ekip të parë, përveç kapitenit Admir Demiri, të luajnë titullar: Ilirid Ademi (luan te Makedonija GJP), Hakan Limanin, Miran Sinanin (kaloi Zvicër), Blend Bekteshin, Ardit Iljazi, Xhemail Esati”, vazhdon më tej tani më ish-trajneri Jakupi.
“Poashtu arritëm marrëveshje bashkëpunimi me Shkëndijën e Tetovës, ku talentet tanë do të zhvillohen në Akademinë e tyre si: Ediz Sipahi, Genc Gashi, Agon Elmazi, Ron Sinani, Imran Fetahi, Oktaj Rakipi (reprezentues I U-16), Redon Colaku, ndërsa Shkëndija na huazoi futbollistë, të cilëve klubi tetovarë iu paguan kompensimet financiare. Kemi edhe dy talente te KF Vardar si: Ali Hasani (reprezentues I U-17) dhe Muas Demiri. Klubi ka një të ardhme të pasur me futbollist të Gostivarit.
Falënderojë grupin e tifozëve ‘Kastriotët’, bashkëpunëtorët e mi të ngushtë:Mersim Zendeli, Muhamed Beshiri, Abush Baki (fizioterapeut), Bejzat Osmani (ekonom) dhe të gjithë njerëzit që kontribuuan në klub këto vite. Të gjithë janë njerëz të përkryer dhe dhanë gjithçka nga vetja për zhvillimin e klubit të qytetit. Për në fund apeloj deri tek të gjithë futbolldashësit, afaristët që të afrohen në klub dhe të ndihmojnë në mënyrë që të ngremë vetëdijen sportive tek të gjithë qytetarët. Me shumë respekt, Mensur Jakupi”, ka shkruar Mensur Jakupi.