Gostivar, 2 prill – Nxënës të shkollave të Gostivarit, përfaqësues të institucioneve publike dhe qytetarë janë përfshirë në marshin nga Qendra Ditore deri te sheshi i qytetit, si ndër aktivitetet në Gostivar për shënimin e 2 Prillit – Ditës Botërore të Autizmit. Në ngjarjen që e organizoi pushteti lokal, morën pjesë edhe Këshilli për të rinj, Kryqi i Kuq dhe Qendra Ditore për Fëmijët me Nevoja të Veçanta.
“Duam të japim shpresë, pikërisht siç është motoja e kësaj ngjarje. Fëmijët shoqërohen, argëtohen me muzikë, duke vallëzuar dhe vizatuar. Të gjithë mbajmë bluza me porosi simbolike për ngritjen e vetëdijes për autizmin në mjedisin tonë”, tha Aslian Snopçe nga Komuna e Gostivarit.
Aktivitetet për shënimin e Ditës Botërore për Luftë Kundër Autizmit u përmbyllën me ligjëratë në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit me temë “T’i tejkalojmë dallimet, të njihemi me njëri-tjetrin”.
Nga pushteti lokal theksojnë se po përmbylljen aktivitetet për hapjen e Qendrës për Fëmijë me Autizëm në objektin e internatit i cili do të vihet në funksion.