Gostivar, 27 dhjetor – Këshilli i Komunës së Gostivarit mbajti seancën e 34 e radhë dhe të fundit për vitin kalendarik 2016, ku në rend dite ishte Buxheti i Komunës së Gostivarit për vitin 2017. Me gjithsej 16 vota për, asnjë kundër e të përmbajtur, Këshilli Komunal aprovoi buxhetin për vitin 2016. Me po aq vota pasoi edhe miratimi i vendim për ekzekutimin e Buxhetit të Komunës së Gostivarit për vitin 2017, kalendarin buxhetor si dhe vendim për përcaktimin e lartësisë së maksimumit të arkës. Fillimisht, para këshilltarëve foli përgjegjësja e Sektorit për Financa dhe Buxhet, Fitore Aligega, e cila vuri në dukje që buxheti themelor i paraparë për vitin vijues është projektuar të jetë: 1.096.684.000,00 denarë, duke shtuar që për dallim nga buxheti i vitit 2016 ka një rritje prej 5.150.000,00 denarë.“Buxheti i Komunës së Gostivarit për vitin 2017 është përgatitur me propozim dhe pëlqim të kryetarit të Komunës dhe kërkesave dhe informatave të sektorëve komunal,është buxhet real, se sa real janë buxhetet tona atë e tregon më mirë llogaria përfundimtare për vitin 2016 që sillet diku nga shkurti ose marsi i vitit 2017 , me mbi 91 % realizim. Buxheti i konsoliduar u komunës së Gostivarit është planifikuar në vlerë prej 1.096.684.000,00 denarë, ku pjesën më të madhe e përbëjnë dotacionet me 51% pasuar nga buxheti themelor me 38,3%, kreditet me 6,1%,aktivitetet e vetëfinancimit me 2,4 %, si dhe donacionet me 2,2 %”, tha Aligega, e cila vuri në dukje që të hyrat e buxhetit të Komunës së Gostivarit planifikohen për mbulimin e shpenzimeve të Komunës. (D.Z)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.