Gostivar, 5 maj – Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në tri komuna të Gostivarit filloi me kohë, informuan nga komisionet komunale zgjedhore.
Në Komunën e Gostivarit numri total i votuesve në listën zgjedhore është 79.493, ndërsa votohet në 121 vendvotime. Dje të drejtën e votës e shfrytëzuan 20 persona të sëmurë.
Zgjedhjet filluan me kohë edhe në Komunën e Vrapçishtës. Atje në 39 vendvotime, të drejtën e votës duhet ta shfrytëzojnë 25.599 qytetarë. Dje votuan gjashtë persona të lajmëruar si të sëmurë dhe pesë persona të cilët gjenden në arrest shtëpiak.
Të gjitha 39 vendvotimet në mëngjes ishin hapur edhe në Mavrovë-Rostushë, ku të drejtë vote kanë 9.886 qytetarë, prej të cilëve 17 votuan dje.