Gostivar, 27 tetor – Ekipet shëndetësore ende vazhdojnë ta vërtetojnë arsyen e helmimit masovik të qindra banorëve të Gostivarit, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore tre ditët e fundit, njofton Koha. Nga Enti shtetëror sanitari dhe inspektorati shëndetësor vlerësojnë se nuk bëhet fjalë për helmim me ushqim, pasi nuk kanë gjetur kurrfarë lidhshmërie mes pacientëve se kanë ngrënë në një vend. Prej atje nuk e përjashtojnë mundësinë burimi të jetë virozë ose bakterie, edhe pse tek asnjë pacient nuk është izoluar bakterie. Tash po bëhen analiza edhe të ujit që vjen nga ujësjellësi i qyteti që të vërtetohet mos vallë uji i pijshëm është burimi i sëmundjes. Më shumë se 300 banorë të Gostivarit dhe rrethinës janë paraqitur në spitalin e Gostivarit me dhimbje barku, barkqitje dhe vjellje. Nga spitali informojnë se pas marrjes së terapisë shëndetësore shumica e pacientëve janë në mjekim shtëpiak.