WASHINGTON – Jeffrey Gordon, ish-këshilltar për Siguri Kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-të duhet ta ekstradojnë në Turqi liderin e organizatës terroriste FETO, Fethullah Gülen, sepse “ai paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare të Amerikës, por edhe të Turqisë”, raporton Anadolu Agency.
Gordon, i cili ka ushtruar edhe detyrën e zëdhënësit të Pentagonit në vitet 2002-2005, komentet i bëri gjatë një fjalimi të mbajtur në panelin e titulluar “SHBA-të dhe Turqia, partneriteti i sigurisë dhe sfidat aktuale” në Washington.
Gordon theksoi se rrjeti i shkollave të FETO-s në SHBA është “i korruptuar”.
“Një nga rrjetet më të mëdha të shkollave, shumë prej të cilave ndodhen në SHBA, kanë qenë objektiv i një hetimi të FBI-së, e cila ka zbuluar gjëra që nuk janë në përputhje me ligjet e SHBA-ve”, tha Gordon.
“Prandaj mendoj se ai duhet të ekstradohet në Turqi dhe kjo është një çështje e vullnetit politik”, shtoi ai më tej.
Që nga viti 1999, Gülen jeton në një ekzil të vetshpallur në Pennsylvania të SHBA-ve.
Turqia vazhdimisht bën thirrje për ekstradimin e tij në Turqi, në veçanti pas grusht shtetit të dështuar në vitin 2016, organizatore dhe ekzekutuese i të cilit ishte pikërisht organizata FETO, ku si pasojë ranë dëshmorë 251 persona dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.