Shkup, 5 maj – Në kuadër të hetimeve që policia e Shkupit është duke i zhvilluar për zbardhjen e sulmit të dhunshëm të Kuvendit me 27 prill, përmes një kumtese ka bërë të ditur se gjatë datës 4 maj janë identifikuar edhe katër persona tjerë të dyshuar për dhunën e ushtruar ndaj deputeteve dhe gazetarëve. Lidhur me këto ngjarje Sektori për Punë të Brendshme- Shkup ka potencuar se në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike, së fundmi në bisedë informative janë thirrur më shumë persona. “Për shkak të konstatimit se kanë ekzistuar dyshime të bazuara se është kryer vepër penale ‘pjesëmarrje në turmë njerëzish e cila ka penguar personin zyrtar në kryerjen e detyrës’, dispozitë kjo e cila buron nga neni 384 i Kodit Penal, ne kemi identifikuar personat D.T (42), GJ.M (52), T.O(52) dhe për kryerjen e veprës penale nga neni 385 dyshojmë se është kryer nga personi N.P(39) të gjitha këta qytetar të Shkupit. Ndaj këtyre personave sektori jonë në suaza të kompletimit të dokumentacionit në Prokurori do të dorëzojë raport të posaçëm”, thuhet në komunikatën e SPB-Shkup. Mes tjerash, ato kanë shtuar se edhe më tej nëpunësit e tyre janë të angazhuar në mbledhjen e dëshmive për zbardhjen e plotë të ngjarjeve të 27 prillit që ndodhën në Kuvendin e Maqedonisë. Ndërkohë, gjatë ditës së premte në stacionin policor në Kisella Vodë për bisedë informative është thirrur kryetari i shoqatës “Qose” nga qyteti i Velesit, Goran Angellov, i cili dyshohet si njëri prej organizatorëve të sulmit të Kuvendit. Mirëpo, marrja në pyetje e Angellovit nuk ka zgjatur shumë, me çka ai pas disa orëve ka dal i lirë nga stacioni policor, duke refuzuar të japë deklaratë para gazetarëve. Përderisa ai është marrë në pyetje, dhjetëra protestues kanë protestuar para stacionit policor. (O.XH)