Bujar KURTAJ
Shkup, 10 nëntor – Të premten dhe të shtunën (10 dhe 11 nëntor) në Shkup respektivisht në palestrën “Boris Trajkovski”, do të zhvillohet edicioni i 47 i turnirit të boksit “Gongu i artë”, një aktivitet ku pjesëmarrës pos shtetit organizator Maqedonisë do të jenë edhe 40 boksier nga gjashtë shtete në pajtim me programin e parashtruar si Kroacia, Bullgaria, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Rumania si dhe Shqipëria.
Ndryshe, Federata e Boksit të Maqedonisë ka përzgjedhur disa nga boksierët e saj më të mirë për t’u përfaqësuar në këtë turnir ndërkombëtar, ndërsa në mesin e tyre do të jenë edhe pesë boksier shqiptar, Denis Muaremovski, Jasin Lama, Artan Aliu, Lulzim Ismaili dhe Alim Nasufi.
Nga kontingjenti verdhekuq paralajmërojnë se boksierët synojnë të bëjnë një paraqitje të mirë në këtë eveniment, për të arritur edhe në zonën e medaljeve.Nënkryetari i Federatës së Boksit të Maqedonisë dhe trajneri i përfaqësueses së Maqedonisë, Faton Salihu, për gazetën KOHA u shpreh se boksierët të cilët do ta përfaqësojnë Maqedoninë janë maksimalisht të përgatitur si në aspektin taktik poashtu edhe në atë fizik.
“Jam trajner i përfaqësueses së Maqedonisë pasi që posedoj licencën e AIBA (Federata Botërore e Boksit). Sa i përket boksierëve ata gjashtë 17-të ditëve të kaluara janë përgatitur në Shtip si në aspektin taktik poashtu edhe në atë fizik. Së fundmi ishim në një turnir në Kosovë në kuadër të kalendarit të AIBA, ku për boksierët tanë ishte si një test për të parë se sa janë të përgatitur. Fatmirësisht jemi nda të kënaqur nga ky turnir, ku arritëm të fitojmë një medalje të arrit dhe një të argjendtë, ndërsa boksieri ynë Lulzim Ismaili u shpall tekniku më i mirë, derisa edhe përkundër disfatës në gjysmëfinale Jasin Lama ishte njëri prej boksierëve më të mirë të turnirit”, shprehet Salihu.
Në pyetjen se nga cilët boksier pret më së shumti në turnirin “Gongu i Artë”, Saliu përmendi emrat e Jasin Lamës dhe Lulzim Ismailit.
“Të gjithë boksierët që do të marrin pjesë në këtë eveniment janë mirë të përgatitur. Nuk do të kisha veçuar asnjë, por më duhet të pranoj se Lulzim Ismaili dhe Jasin Lama janë dy boksier që kanë përvojë pak më të madhe nga turnet ndërkombëtar dhe ne si staf teknik, presim më shumë nga ata edhe pse realisht konkurrenca do të jetë e madhe. E them këtë pasi pjesëmarrës në ‘Gongu i Artë’ do të jenë boksier nga shtete të ndryshme dhe me përvojë shumë të madhe, derisa juria profesionale do të vendos për boksierin më të mirë që do ta fiton edhe ‘Gongun e Artë’”, përfundoi Salihu.
Ndërkohë, luftërat gjysmëfinale do të fillojnë të premten prej orës 16:00-19:00, kurse hapja solemne do të jetë prej orës 17:30. Derisa, të shtunën do të zhvillohen ndeshjet finale me fillim prej orës 11:00, ndërsa çmimet dhe mirënjohjet janë paraparë prej orës 14:00.