Pas dy sezoneve zhgënjyese tek Barcelona, Andre Gomes po kërkon shpëtim tek Everton, klubi tek i cili u huazua nga “blaugranat” gjatë gushtit.
Gomes u transferua në Katalonjë në 2016-ën për 35 milionë euro, plus 20 bonus. Një sforco ekonomike e bërë nga ana e Barcelona-s, e cila ka mbetur e zhgënjyer nga lojtari që nuk arriti të gjente vazhdimësi.
I intervistuar nga “Sky Sport”, mesfushori rrëfeu shqetësimin e tij dhe të familjes në këto dy vitet e fundit:
“Nuk kanë qenë vite të lehta. Kam kaluar edhe momente të mira, por në momentet e këqija ishte e vështirë t’i shihja prindërit e mi të vuanin. Nuk ia dola të përmbushja pritshmërinë time dhe të klubit. Por tani po rikthehem të ndiej kënaqësinë e të luajturit futboll”.
Përshtatja me Premier League ka qenë e mirë: “Nuk vendos limite, as nuk mund të them që po kaloj momentin më të mirë në karrierën time, por dua të vazhdojë të rritem dhe në Angli ndihem një person dhe një lojtar më i pjekur”.
Gomes u shpall kampion i Europës me Portugalinë në 2016-ën, duke luajtur në pesë ndeshje nga shtatë, ndërkohë që nuk u thirr nga trajneri Santos për Kupën e Botës në Rusi.