Gomaricat, berberhanet dhe Absurdistani

45

Kleptokracia lëreni se, ka lëshuar rrënjë të thella – ajo është shndërruar në traditë; pranohet si vlerë dhe si kulturë nga bashkëqytetarët tanë. Po, ua them unë juve, nuk ka bereqet dhe nuk do ketë edhe një kohë të gjatë, përderisa nuk mbushen burgjet – me idiotë të këtillë që i kanë uzurpuar zyrat dhe institucionet dhe i zhvatin të mirat publike pa përgjegjësi, fare!

Nga Shaqir ISLAMI

Ende jetojmë me halle në Absurdistanin tonë mes sezonit të gatimit të Hajvarit! Dhe, nuk prajmë së prodhuari absurdizma ngamë të ndryshmet dhe më të habitshmet! Shteti ynë viran, botërisht njihet si jatak për skandale politike, ekonomike dhe kulturore! Jemi kampionë për sajimin dhe prodhimin e situatave absurde, që mbarojnë me skandale sa qesharake, aq tragjike dhe aq më tepër absurde. Hë për hë, na mbijnë skenarë për skandale argëtuese dhe të habitshme, për të cilat na kanë zili dhe lakmi studiot e Hollywood-it dhe Bollywood-it së bashku.

Sa më shumë që flitet për shtetin e së drejtës; për dukurinë, tashmë familjare të korrupsionit; për ruajtjen e natyrës; aq më shumë përkeqësohet dhe shëmtohet çdo gjë në mesin tonë të ndotur keq nga hajdutllëku, zilia, lakmia, hilet, rrenat dhe mashtrimet. Dhe sidomos nga papërgjegjshmëria e sëmurë ndaj të mirës publike, që duhet të kemi hise të gjithë së bashku. Ky koktej dehës, quhet “La Macedonia”. Dikush e quan edhe si Absurdistan!

Sa mirë që,e shkreta zonja plakë Europa mbas shumë premtimeve dhe llafeve boshe – me sa duket nga këto kohëra të vështira dhe të mjegulluara pandemie – ka ngulur këmbë të na kthejë përfundimisht nga “Këbleja”; dhe të na qytetërojë pakëz nga aspekti i përgjegjshmërisë dhe i esnafllëkut. Kose edhe neve të na vjen një çik, demek erë qytetarie europiane, para se të na marrin në gjirin familjar! Ne qysh moti ankohemi e qyravitemi duke përsëritur pa pushim se kemi qenë dhe jemi Europë me plotë-kuptimin e kësaj fjale.Por, ja, na bëjnë hile, na kanë inatin! Por, huqet na e kanë pushtuar mendësinë dhe virtytet, ndaj s”mund t”i ndërrojmë kollaj. Të gjithë e dimë tregimin e ujkut me huqet. Sikur, të na kenë pas bërë munxhia ose të na ketëpas zënë syri i ligsht; mazalla se, bëjmë hap për t”u përmirësuar.

Këtë shoqëri me këtë gjendje të vështirë të higjienës mendore dhe shpirtërore, vetëm duhet ta “fryjë” ndonjë “hoxhë-evlia”; edhe atë me ventilatorë të fuqishëm! Besomëni, ky baksuzllëk nuk hiqet ndryshe. Dhe, hoxha-evliatë na vari nga një hajmali në qafë të secilit nga ne!Çare tjetër, nuk ka dhe as që duket ndonjë nishan në horizont për një mrekulli të ndryshimit të sjelljes dhe premtimeve boshe nga politikanët që përsëriten pa prajtur kaq dekada, si kënga e moçme “Çou more Rexho dil te lama …”,

Kjo qeveri e radhës rreh-gjoks kinse, përfundimisht do përballet dhe kacafytet për nime me shërimin dhe çlirimin e shoqërisë së mjerë nga kleptokracia dhe padrejtësia të mbjellura qysh në vaktin e komunizmit. Megjithatë, trojet tona u boshatisën dhe ende zbrazen pamëshirshëm dhe vrullshëm. Rinia iku dhe po ikë – vetëm të pushojë pakëz kjo pandemi ogurzezë – dhe do ikë sa të hapen rrugët dhe kufijtë. Rinia na thotë troç në sy: HastaLa Vista ose Sayonara, dhe na mallkon: u qelbshi në moçalin tuaj!

Ndonëse fryjnë lajme të mira nga Europa në absurdistanin tonë, për investime të mëdha në vitin e ardhshëm, të cilat do hapin vende pune dhe gjoja se, do ta marrim udhën e mbarë nga mirëqenia sociale. Kush të beson se … me sa duket, edhe vetë Besa e ka marrë rrugën e shtegtimit! Dhe si për inat, skandal i fundit e morri dhen, nga zyra e Agjencisë Nacionale për Programet Arsimore dhe Europiane! U mbushën mediat, rrjetet dhe platformat sociale me lajmin e habitshëm se, si kjo agjenci i paskësh harxhuar paratë e taksapaguesve europianë në vendin tonë. Kjo agjenci-nacionale paskësh shpenzuar miliona euro për trajnim gomaricash dhe për berberhane. Se çlidhje mund të kenë gomaricat me arsim dhe edukim… por, çfarë trajnimesh dhe çfarë trajtimesh u kanë bërë! Edhe gomaricat e Hollywoodit, që punojnë si porno-aktore nuk kanë shpenzime, sa këto gomaricat tona. Edhe sikur t”u kishin bërë pedikyr-manikyr, hajde edhe frizura, hajde edhe sikur t”i kishin ngjyrosur në bjondina,… Prapë se prapë, asnjë-turli nuk na del hesapi, me këta miliona të harxhuara në absurdistanin tonë që synon të anëtarësohet në familjen e qytetëruar europiane.

Mua më habiti krekosja, pafytyrësia dhe arroganca e drejtoreshës së kësaj agjencie! Ajo këmbëngulte se nuk jep dhe as që ka ndërmend të jep dorëheqje nga posti i drejtorit; me arrogancë përpëlitet të arsyetohet para publikut, sikur me e pas mall babe agjencinë; sikur ta ketë pas trashëguar institucionin nga gjyshja e vetë! A po shihni se në çfarë derexhe është katandisur kjo shoqëri? A po shihni se kleptokracia na ka pushtuar dhe mbizotëron mendësinë e kësaj shoqërie? Kleptokracia lëreni se, ka lëshuar rrënjë të thella – ajo është shndërruar në traditë; pranohet si vlerë dhe si kulturë nga bashkëqytetarët tanë. Po, ua them unë juve, nuk ka bereqet dhe nuk do ketë edhe një kohë të gjatë, përderisa nuk mbushen burgjet – me idiotë të këtillë që i kanë uzurpuar zyrat dhe institucionet dhe i zhvatin të mirat publike pa përgjegjësi, fare!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)