Ka mënyra të pafundme sesi mund të dëmtohet një makinë, por kafshimi i një gomari, nëse s’është rasti i vetëm në botë, është padyshim në fund të listës. Por pikërisht kjo i ndodhi McLarenit prej 310 mijë eurosh të gjermanit Markus Zahn, i cili mbase bëri gabimin e sinqertë ta parkonte makinën luksoze pranë gardhit ku kulloste gomari me emrin Vitus. Mbase i shtyrë nga uria, siç sugjeroi policia lokale, Vitus mund ta ketë ngatërruar McLarenin me një karrotë dhe nuk u mendua dy herë për t’i ngulur dhëmbët. Çështja, e cila përfundoi në gjykatë, tërhoqi vëmendje të madhe në mediat gjermane, që nuk mund të linin pa përmendur fundit e gjyqit. Gjykata që mbulon qytezën Vogelsberg, ku ndodhi ngjarja, tha se pronarët e gomarit duhet t’i paguajnë Markus Zahnit plot 5.800 euro, pasi aq kushtoi riparimi i dëmit që pësoi makina. Mediat raportojnë se pronarët e Vitusit nuk janë aspak dakord dhe pritet ta apelojnë vendimin, pasi mendojnë se fajtor është pronari i makinës, që e parkoi aq afër gomarit.