Shkup, 5 dhjetor – Skuadra e Shkupit të dielën mundi kampionin aktual Vardarin me 2-0, me dy eurugolat e Muharem Bajramit dhe Kristijan Stojkoski. Fitore, kjo e cila u komentua edhe gjatë ditës së djeshme, derisa përshtypjet e tyre i kanë dhënë trajneri Ardian Nuhiu, i cili doli fitimtar ndaj kolegut të tij Çedomir Janevski si dhe autori i golit të parë Muharem Bajrami. “Jam shumë i lumtur, që është normale. Të fitohet Vardari nuk është punë e vogël. Shkupi ka kualitet, këtë e dëshmuam në ndeshjen e sotme dhe mund të luajmë edhe më mirë. E dimë se fusha ishte e rëndë për lojë, por e njëjta ishte edhe për ne dhe për Vardarin”, u shpreh trajneri Nuhiu.
I lumtur për golin me të cilin edhe e paralajmëroi fitoren është edhe Muharem Bajrami. Ai këtë gol ua dedikoi grupit të tifozëve “Shvercerat Shkup”.
“Urime fitoren e madhe të gjithëve. Falënderoj publikun për përkrahjen gjatë gjithë ndeshjes dhe i uroj bashkëlojtarët për ‘luftën’ dhe karakterin në këtë ndeshje. Golin ua dedikoj ‘Shvercerave’ që në asnjë moment nuk kanë munguar në përkrahjen e tyre”, shkroi në profilin e tij në “Facebook”, Bajrami.
Ndërkohë, pas kësaj humbje Vardari ka 14-të pikë më pak se lideri aktual Shkëndija, e cila përfitoi më shumë nga kjo fitore e bardhekaltërve, ndërsa Shkupi gjendet në pozitën e gjashtë me 23 pikë. (koha.mk)