Një gol spektakolar, një perlë, një saktësi milimetrike… Është e vështirë ta shpjegosh golin që realizoi Herri Kejn ndaj Juves, prandaj është më mirë ta shijosh dhe vetëm kaq.
Sulmuesi dhe lideri i Totenhemit i dha suksesin 3-2 skuadrës së tij në miqësoren e djeshme, pas së cilës pranoi se ai ishte një ndër golat më të bukur të karrierës.
“Bëmë një ndeshje të mirë, edhe pse duhet të pranojmë se ishte mjaft e vështirë që të luanim në këto temperatura kaq të larta. Ofruam një futboll cilësor, por duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të shfrytëzojmë ndeshjet e radhës që na presin, për të përmirësuar formën dhe lojën tonë. Duhet ta nisim sezonin e ri nga aty ku e mbyllëm të fundit, – shprehet Kejn, që më pas komenton golin.
– Pa dyshim është një ndër më të bukurit që kam shënuar në karrierën time. Ishte një goditje sa instiktive, aq sa edhe e studiuar në një fragment sekonde.
Gjatë pjesës së dytë e pashë shpesh Sheznin që të qëndronte larg kuadratit dhe mendova se në rastin e parë që do të më jepej mundësia do ta provoja goditjen nga distanca. Dhe, në momentin e parë që m’u dha, e surprizova. Goditja ishte perfekte dhe topi përfundoi në rrjetë. Më bukur se kaq nuk mund të shkonte”, u shpreh 25-vjeçari.