Kombëtarja kuqezi luan në “Elbasan Arena”, sonte në mbrëmje, kundër Izraelit, porn ë radhët e saj mungon futbollisti më i spikatur në rang klubi. Ashtu sikurse mungoi edhe në dy kualifikueset e muajit të kaluar, në fakt. Trajneri Xhani De Biazi thotë se e ka lënë jashtë për zgjedhje teknkike, por një lojtar që jo vetëm e “zbuloi” Amerikën, por edhe po e “pushton” atë me çmimet e marra, me supergolat e shënuar, duhej të kishte vend patjetër te çdo kombëtare, jo më te Shqipëria, që është e kufizuar në potenciale të tilla.
Ditën kur De Biazi publikonte listën e të ftuarve për miqësoren e katërt në Grupin G kualifikues të “Rusia 2018”, Shkëlzen Gashi realizonte një “perlë” të vërtetë, me goditje nga distanca, merrte çmimin e lojtarit të javës te Colorado Rapids, duke e bërë të larmishëm këtë lloj “palmaresi” në MLS. E megjithatë, emri i tij mungonte sërish në përzgjedhjet e 60-vjeçarit nga Sarmede. Një temë që nuk e shqetëson fare trajnerin kuqezi, por që duhet të jetë kryefjalë në kombëtare. Jo në emër të Gashit, personalisht, por të meritokracisë kuqezi. Por, le të kthehemi te thelbi i këtij shkrimi, gjithsesi, që ka të bëjë me një tjetër çmim të madh që merr Shkëlzen Gashi në “tokën e premtuar”.
Ai është zgjedhur si autori i golit më të bukur sezonal në MLS, me predhën nga goditja e dënimit, që la shënjë jo vetëm në Vankuver, muajin shtator, por bëri xhiron e mediave të krejt botës, sepse ishte i jashtëzakonshëm. Shkëlzen Gashi është shpallur “lojtari i muajit tetor” te Colorado Rapids, në bazë të votave të tifozëve në faqen zyrtare të klubit.
Disa ditë më parë, 28-vjeçari u u vlerësua edhe si lojtari më i mirë i sezonit te klubi i tij, po nga votat e tifozëve. Ky ishte sezoni i parë i tij në kampionatin amerikan të futbollit (MLS), ku ka luajtur gjithsej 28 ndeshje (2261 minuta lojë), ka shënuar 10 gola dhe ka marrë 5 kartonë të verdhë. Si pjesë e kombëtares kuqezi, ai ka luajtur 13 ndeshje (1073 minuta lojë), si dhe ka shënuar 1 gol, në ndeshjen Shqipëri-Armeni 2-1.