Një nga bankat më të mëdha të investimeve në SHBA, “Goldman Sachs”, ka bërë ulje të parashikimit për çmimet e naftës gjatë vitit 2019, duke marrë për bazë rritjen e prodhimit dhe kërkesën e vogël.
Në rishikimin e publikuar të hënën, Goldman Sachs thotë se marka e naftës së papërpunuar Brent, këtë vit do të ketë një mesatare prej 62.50 dollarë për fuçi, nga 70 dollarë sa kishte parashikuar më parë.
Marka amerikane West Texas Intermediate (WTI) është parashikuar të mbaj një mesatare prej 55.50 dollarë për fuçi nga 64.50 dollarë sa kishte parashikuar Goldman Sachs për vitin 2019.
“Presim që tregu i naftës në vitin 2019 të balancohet me një kosto më të ulët margjinale duke pasur parasysh nivelet më të larta të artikujve në fillim të vitit”, thotë kompania amerikane, sipas të cilës rritja e prodhimit të naftës së shistit argjilor në SHBA kanë bërë mbifurnizimin e tregut global të naftës.
Prodhimi i naftës së papërpunuar në SHBA gjatë nëntorit të vitit të kaluar, u rrit në një nivel rekord të lartë, duke tejkaluar kështu Rusinë dhe Arabinë Saudite, të cilat gjithashtu prodhuan nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë në nëntor.
Goldman Sachs thotë se “kërkesa e ulët, ndryshe nga që parashikohej është faktor tjetër i rëndësishëm i cili do të mbaj poshtë çmimet e naftës”.
Ndryshim të parashikimit, duke ulur çmimin e naftës për vitin 2019 kanë bërë edhe kompani tjera investuese amerikane, siç janë JP Morgan, Morgan Stanley, por edhe Administrata Amerikane për Informacion mbi Energjinë, parashikimi i të cilëve lëviz mes 61 dhe 73 dollarë për një fuçi.