Golden State dhe Toronto do të luajnë në finalen e madhe të NBA-së, shkruan Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha. Të dyja skuadrat u treguan më të suksesshmet në konferencat përkatëse dhe tash do ta kërkojnë titullin e kampionit në kampionatin më të fortë të basketbollit në botë.
NBA ka njoftuar se seria finale do të hapet këtë të premte në Toronto, për të vazhduar të hënën po ashtu në Kanada. Kurse, ndeshja e tretë do të luhet në Oakland të Californias më 5 qershor.
Golden State do të luajë për herët të pestë rresht në finale të NBA-së. Warriors i kanë fituar tre nga katër finalet e fundit.
Nga ana tjetër, Raptors iu bashkuan kësaj lige në vitin 1995 dhe do ta zhvillojnë finalen e parë në histori të tyre.
Golden State e eliminoi në finale të Konferencës Portlandin, kurse Toronto ishte më i mirë se Milwaukee në konferencën përkatëse.
Toronto i kishte fituar të dyja përballjet me Golden State në sezonin e rregullt: 131:128 në fitoren me vazhdime në shtëpi më 29 nëntor dhe 112:93 në Oakland më 12 dhjetor.