Azdren Llullaku është në super formë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare vijon të jetë jo vetëm titullar në Rumani tek Astra, por edhe të jetë protagonist me gola. Kështu ka ndodhur edhe këtë të shtunë, pasi sulmuesi shqiptar ka shënuar golin e parë të Astras në fitoren në transfertë kundër Hermannstadt. Ishte minuta e 60-të e takimit, kur Astra fiton një njëmbëdhjetë metërsh, gjuajtja i besohet Azdren Llullakut.
Kështu nga pika e bardhë, Llullaku nuk gabon. Gjuan me qetësi topin në kraun e djathtë të portierit kundërshtar, duke e dërguar në rrejtë. 1-0 për Astran që fiton besim dhe vijon të kontrollojë lojën. Kështu në minutën e 74`, skuadra e Astras shënon dhe golin e dytë me anë të Erico.
Deri në fund të takimit shifrat nuk ndryshojnë dhe Astra merr tre pikë të rëndësishme në ndeshjen e radhës në kampionat. Me këtë fitore skuadra ku bën pjesë sulmuesi i kombëtares shqiptare, Azdren Llullaku, ngjitet në vendin e tretë në renditje me 20 pikë, 3 më pak se Cluj që kryeson kampionatin.
Ndërkohë goli i realizuar sot nga penalltia, është i treti në kampionatin rumun për Azdren Llullakun, që duket se tashmë është rikthyer në formën e tij më të mirë. Sulmuesi është titullar i padiskutueshëm tek Astra dhe vijon të jetë protagonist për skuadrën rumune, që këtë sezon synon të fitojë kampionatin.