Për fat të keq, të premten ishte fundi i një iluzioni, në të cilin kemi “investuar” shumë emocione dhe shumë kompromise të dhembshme si shtet. Duke i lënë anësh dobësitë e brendshme si shoqëri jo të përsosura të dy shteteve ballkanike, megjithatë mbetet shija e hidhur se më shumë bëhet fjalë për qëndrime “jo parimore” dhe frika të paarsyeshme nga Franca e Holanda, se sa për mospërmbushje kushtesh
Nga Daut DAUTI
- Faji i vendeve, apo pretekst…
Nuk ka datë për Maqedoninë e Veriut! Me fajin e Shqipërisë!?
Një konstatim të këtillë, ose më saktë, një paralajmërim, por në formë apeli e pat dhënë edhe kryetari Pendarovski ndonjë muaj më parë dhe hasi në disa reagime të qarqeve tona(shqiptare). Ai pat kërkuar që Maqedonia e Veriut të ndahet nga trajtimi bashkë me Shqipërinë për të fituar datën. Mbase kryetari, ndonëse në fillim të mandatit të tij, kishte pasur informata të sakta se çka po ndodh me disponimin e Evropës, gjegjësisht se duke qenë se Shqipëria është më mbrapa në plotësimin e kushteve, mund ta penalizojë edhe Maqedoninë. Fjalia e dytë këtij teksti, ku fajësohet Shqipëria për pësimin e Maqedonisë, kësaj radhe nuk është vlerësim i marrë nga kryetari Pendarovski, por nga vlerësimi që këto dy ditët e fundit e thanë disa analistë dhe politikanë të Shqipërisë, të cilët para së gjithësh vlerësonin se me mosplotësimin e kushteve për BE, Shqipëria e ndëshkoi edhe fqinjin e saj, Maqedoninë, që ka ecur shumë më përpara. Kjo dozë vetëkritike e opinionistëve shqiptarë duhet të përshëndetet, duke i njohur më mirë rrethanat e brendshme në vend. Sepse, obstruksionet dypalëshe pushtet-opozitë, që si rezultat kanë mosfunksionim të disa segmenteve kyç të shtetit, siç është Gjykata Kushtetuese, si dhe shumë procese tjera që janë peng i këtyre përplasjeve që e tejkalojnë normalitetin e betejave politike, janë një pasqyrë jo e mirë për këtë vend në sytë e Evropës. Për këtë nuk ka faj vetëm pushteti i Edi Ramës, i cili është përgjegjës për një varg çështjesh serioze (“kanabisimi” i Shqipërisë, mosndëshkueshmëria e krimit, si në rastin e Saimir Tahirit, mosfunksionimi i pushtetit gjyqësor…), por dhe opozita, e cila ka ndërmarrë një varg veprimesh që shkelin në parim rolin opozitar, duke rrezikuar vendin të rrëshqasë në anarki.
Për fat të keq, të premten ishte fundi i një iluzioni, në të cilin kemi “investuar” shumë emocione dhe shumë kompromise të dhembshme si shtet. Shpërblimi mungoi, sepse Franca këmbënguli në qëndrimin e saj. Zyrtarisht, që së pari të “reformohen” procesi i zgjerimit të BE-së, e pastaj të shihet, por dhe për shkak të “gogolit” shqiptar që me të madhe e kanë përhapur Holanda, e deri diku edhe Franca. Sepse, sipas këtyre dy shteteve, shqiptarët janë ata që eksportojnë ekstremizëm, azilantë, kriminalitet, drogë…
Nuk i ndihmoi Shqipërisë as paraqitja teatrale e Edi Ramës në Samitin e Brukselit, i veshur me do pantallona-shallvare, kombinuar me “patika” (të kishte veshur opinga, do të kishte qenë më domethënës dhe më mbresëlënës!), që kishin tërhequr vëmendjen mediale dhe ishte komentuar në kulloare. Ky teatralitet në përmasa karikaturave, nuk i kishte bërë përshtypje Makronit, i cili qëndroi i palëkundur për të mos ndërruar qëndrimin në drejtim të asaj që bëri kancelaria gjermane, Merkel, duke dhënë dritë të gjelbër, por duke vënë disa kushte për fazën e ardhshme(për Maqedoninë nuk vuri asnjë kusht).
Të vetëdijshëm për faktin se Maqedonia e V.dhe Shqipëria nuk janë në një nivel të plotësimit të kritereve, në Samitin e Brukselit u bënë përpjekje që të ndaheshin këto dy vende, por as kjo nuk u bë.
Duhet thënë haptas se vendi ynë e hoqi pengesën kryesore, kontestin me Greqinë dhe është pritur që këto çështjet tjera të brendshme (përplasjet pushtet-opozitë, marrëveshja e papërfunduar për Prokurorinë Publike, rasti “Reket” që involvoi Kreprokuroren Speciale….) të mos jenë shkak për të mos marrë datën për negociata. Tash për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut mbetet si ngushëllim arsyetimi para publikut të vendit se e pësuam për shkak të Shqipërisë, ngase edhe në Shqipëri e thonë qarqe politike dhe opinioniste. Por ky pësim e ka dhe anën tjetër: rritjen e euroskepticizmit në vend dhe përpjekjet për të gjetur rrugë alternative. Eurokomisari Han në mënyrë dramatike ua tërhoqi vërejtjen vendeve evropiane se në këtë mënyrë Ballkanin e lëshojmë nga dora. Refuzimi i Francës duket të mos jetë vetëm prolongim disa muajsh, sepse pas formulimit Makronit që së pari të reformohet procesi i zgjerimit, fshihet një barrierë serioze për zgjerimin e mëtutjeshëm me “vende problematike”, kurse Ballkani është përplot me vende të tilla, që kanë probleme të brendshme dhe konteste mes vete. Kur jemi te Shqipëria, duket edhe Franca ka rënë viktimë e fjalës popullore “për ta bërë mizën buall”, sepse ai përmend edhe kërkesat për azil nga qytetarët shqiptarë, por, ky proces në shifra vjetore është qesharak sa ta marrësh për kriter. Sepse, nëse kemi pasur parasysh se sa është i përhapur procesi i emigrimit jo vetëm nga Ballkani, por dhe nga mbarë vendet që kanë dalë nga blloku socialist, madje dhe nga vende që sot janë anëtare të BE-së, atëherë 3-4 mijë shqiptarë që kërkokan azil në Francë(për çka Makroni s’paska si t’ua “shpjegojë” qytetarëve të vet!), është vetëm një pretekst.
Duke i lënë anësh dobësitë e brendshme si shoqëri jo të përsosura të dy shteteve ballkanike, megjithatë mbetet shija e hidhur se më shumë bëhet fjalë për qëndrime “jo parimore” dhe frika të paarsyeshme nga Franca e Holanda, se sa për mospërmbushje kushtesh.
- ME NJË SY, ME DY…
Duke u marrë me çështjet e politikës ditore, njerëzit e rëndomtë, por dhe më shumë ata që duhet t’i dinë gjërat më mirë, shpesh i përziejnë lëmshet. Përzihen, për shembëll, aspekti juridik i çështjeve me atë politik, duke e futur si “mëlmesë” anën etike, e cila ndoshta ka vdekur kaherë në politikë! Dhe, kuptohet, marrim në thua me parimet e këndvështrimit, sepse me një sy shikon diçka që të përgjigjet dhe me tjetër diçka që s’të përgjigjet. Shto këtu diskursin “e natyrshëm” manipulativ që e përmban politika, që ta vëmë pastaj në pikëpyetje çdo paraqitje, kritikë a analizë…
Dy rastet e fundit që e bënë më të bujshme skenën politike, flasin shumë. Rasti i Frosina Remenskit dhe i zëvendësministrit të Shëndetësisë, dr. Asim Musës. Me paralajmërimin e parë se Frosina Remenski, deputete e LSDM-së mund të jetë e dyshuar për rastin “Reket”, lideri i saj Zoran Zaev, paralajmëroi se ajo do të largohet nga funksionet partiake përderisa nuk dëshmohet se është e pastër. Në këtë deklaratë, u ndërlidh një lider partiak shqiptar, për t’ia përkujtuar Zaevit se është kontradiktor përse nuk e ndërron zv.kryeministrin e tij, i cili është i dyshuar nga PSP-ja.
Por, a mund të bëhen këso lloj paralelesh të rasteve që s’përputhen njëri me tjetrin. Ato nuk duhet të shihen me një sy, por me të dytë. Zaevi e kishte fjalën për largimin “me kusht” të Remenskit nga funksionet partiake, përderisa të dëshmohet se ajo është e pafajshme. Ndërsa nuk u bë fjalë për largimin nga funksioni i deputetes, sepse për këtë vendos parlamenti. E dyta, ministri për të cilin e ka fjalën lideri i partisë shqiptare, mund të krahasohet vetëm me Zaevin, sepse është nënkryetar qeverie. Sepse, a mund të vlejë një parim për kryeministrin, dhe tjetrin për zëvendësin e tij? Më saktë, a kemi harruar se në kohën kur qe nominuar për kryeministër dhe më pas kur qe bërë kryeministër, Zaevi ishte i dyshuar dhe ndaj tij zhvillohej proces gjyqësor. Por, duke qenë se vlente parimi i presumpsionit të pafajësisë, ai jo vetëm që u bë kryeministër, por dhe vazhdoi të gjykohej dhe të mbante funksionin e kryeministrit. Pse u dashka që Zaevi ta ndërrojë zëvendësin e tij, ndaj të cilit ende nuk ka ndonjë akuzë të ngritur, vetëm për hir të një paralajmërimi nga PSP-ja e cila e humbi kredibilitetin e vet me shefen e saj? Bile, dallimi është jo simetrik: PSP-ja ka pasur dyshime, kurse Kryeministri kishte aktakuzë konkrete dhe proces gjyqësor në zhvillim. Kjo asimetri flet se nuk mund të kërkosh që të vlejë një parim për njërin, e tjetri parim për tjetrin, vetëm pse të përgjigjet që ndryshe ta paraqesësh rastin para opinionit publik.
E dimë që partitë shqiptare “hahen” mes vete, sepse luftojnë për besimin e elektoratit shqiptar, por kur të thirren në principe, duhet të jenë vërtetë principiele… Zaten, para se të zgjidhet ndonjë bartës i funksionit publik, ose madje dhe të punësohen në administratë, kushti për t’u zgjedhur, emëruar ose punësuar është që të mos ketë dënim fuqiplotë. Prandaj, dhe manipulimi me këso kategorish, nuk ju shërben partive, përveç se ato i bën që ndonjëherë diçka që ju përgjigjet ta shikojnë me dy sy, e ndonjëherë ta mbyllin njërin para ndonjë të vërtete.
Disi ngjashëm ishte rasti me kurdisjen e një kamere të fshehtë për zv.ministrin e shëndetësisë, rasti i të cilit është një shkelje flagrante dhe manipulim mediatik. Për të mos e ritreguar gjithë atë që u pa në emisionin “Fiks fare”, një rezime: ai dha informata në cilësinë e mjekut për një operacion në spitalin ku punon ose ka punuar, nuk kërkoi ryshfet, porse “pala” “e kënaqur” nga informatat që mori, i ofroi atij një shpërblim, të cilin ai e refuzoi kur ishte i lartë dhe kur pala insistoi për një qerasje në shenjë falënderimi, mjeku pranoi 50 euro, që është sa për të ngrënë një drekë në ndonjë restorant normal. Ai nuk kërkoi as mori ryshfet, pranoi një qerasje, që duke pasur parasysh praktikën, janë normale te mjekët(që nga “Bajadera”, uiski, vodka, shishe vere, etj., e gjer te ndonjë pliko). Nuk është normale, nëse mjeku të kushtëzon për ndonjë operacion me ryshfet, kjo është tjetër, apo jo?
Dhe çka tash, iu varën në qafë edhe disa mjekë që e dinë mirë se peshqeshet për mjekët nuk janë të panjohura. Le të kujtojmë nga rastet e përmendura më sipër, se kurdisje të tilla iu bënë pikërisht kryeministrit kur ai ende ishte opozitar, por në fund gjyqi e nxori të pastër. Pse u kërkua te rasti i zv.ministrit që të merret në përgjegjësi politike dhe të ndiqet madje penalisht, për diçka që e pamë se si u sajua situata ngjashëm si ajo e kryeministrit? Një pjesë e publikut ra në grackë duke e marrë gjë të mirëqenë gjithë ajo që u komentua, duke përjashtuar ndijimet shqisave të syve e veshëve, sepse ajo që mund të shihej ishte shumë larg asaj që “shoumenët” e emisionit Fix fare ia prezantonin publikut të gjerë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)