Bayern Munchen ka lajmëruar se futbollisti i kombëtares franceze Benjamin Pavard do të transferohet në Bavari këtë verë.
Pavard, 22 vjeç, shkëlqeu në Kupën e Botës me Francën, duke luajtur si mbrojtës i djathtë për skuadrën e drejtuar nga Didier Deschamps. Goli i tij në ndeshjen kundër Argjentinës u përzgjodh Goli i Botërorit.
Mbrojtësi i Stuttgart-it ka shkuar në Gjermani nga Lille në vitin 2016 dhe ka spikatur, duke luajtur në qendër të mbrojtjes, ndaj ka kohë që ndiqet nga Bayern dhe shumë klube të interesuar.
Klubi bavarez ka mohuar gjithnjë ndonjë marrëveshje të mundshme, por ka muaj që flitet për një akord dhe tashmë duket se kampionët e Gjermanisë janë detyruar të dalin me një lajmërim zyrtar.
Drejtori sportiv i Bayern-it, Hasan Salihamidzic, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka deklaruar: “Mund të konfirmoj se Pavard do të bashkohet me ne prej 1 korrikut, ka firmosur kontratë 5-vjeçare”.