Anthony Martial dhe Jesse Lingard do të qëndrojnë rreth 2-3 javë larg fushave pasi janë dëmtuar gjatë mesjavës ndaj Paris Saint-Germain në Champions League. Lojtarët nuk do të jenë në ndeshjen e së hënës ndaj Chelsea-t, e vlefshme për raundin e pestë të FA Cup, si dhe në sfidën ndaj Liverpool në Premier League të dielën.
Ata gjithashtu do të mungojnë për ndeshjet e kampionatit ndaj Crystal Palace dhe Southampton. Gjithashtu, edhe ndeshja e kthimit me PSG është në rrezik.
Lingard ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshë gjatë pjesës së parë, ndërsa Martial e ndoqi në pushimin e ndeshjes, edhe ai me probleme muskulore. Megjithatë, trajneri Ole Gunnar Solskjaer mbetet optimist. Ai shpreson që Romelu Lukaku dhe Alexis Sanchez të zëvendësojnë denjësisht dy të dëmtuarit.