Aida XHONI
Shkup, 17 janar – Semestrin e dytë të vitit vijues akademik studentët e Universitetit Ndërkombëtarë Ballkanik në Shkup (UNB) do ta fillojnë në godinën e re që gjendet tek ish Kazerma e “Ilindeni” në Shkup. Kampusi i ri universitar i plotëson të gjitha kushtet dhe ka kapacitet për rreth 5000 mijë studentë. Për momentin ka përfunduar faza parë e projektit që përfshin dy godina për studentët dhe rektoratin, investim ky që kap vlerën prej rreth 10 milionë eurosh, tha për gazetën KOHA, sekretari i përgjithshëm i UNB-së, Visar Ramadani. Ramadani tregoi se menjëherë pasi të nisin me veprimtarinë në objektin e ri, do të vazhdojë faza e dytë dhe e tretë, ndërsa kampusi universitar pritet të finalizohet në vitin 2020.
“Kampusi universitar është gati dhe me padurim presim ti hapim dyert e tij në një solemnitet për të cilin do të njoftohet opinion javët e ardhshme. Është në procedurë pranimi teknik i objekteve të ndërtuara në kuadër të kampusit universitar nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve (MTL-së), presim në bazë të planifikimeve që kemi bërë me ministrinë që kjo procedurë të përfundojë brenda këtij muaji që të mund semestrin e ri veror ta nisim në hapësirat e reja të universitetit. Objekti është ndërtuar në kapacitete neto të ndërtimit në rreth 20 mijë metër katror dhe si i tillë përfshin godinën e rektoratit dhe dy godinat e fakulteteve dhe instituteve të cilat funksionojnë në kuadër të UNB-së veçanërisht u kemi dhënë theks të veçantë edhe hapësirave tjera siç është biblioteka, kantina e universitetit …”, u shpreh Ramadani.
Nga viti i ardhshëm akademik 2018/2019 pritet të ketë rritje masive të numrit të studentëve, pasi objekti ekzistues ka kapacitet për 5000 studentë, ndërsa për momentin në të janë vetëm 2000 studentë, tha më tej Ramadani. Faza e dytë e projektit parasheh edhe dy godina të ngjashme ndërsa e treta ndërtim të konviktit studentor me çka në vitin 2020 i gjithë ky projekt finalen e vet duhet ta ketë në atë që quhet një qytezë universitare në kuadër të ish Kazermës së “Ilindenit” bashkërisht me objekte tjera edukative apo universitare të cilat janë planifikuar për këtë pjesë të Shkupit.
Ndryshe, në kuadër të UNB-së funksionojnë shtatë Fakultete, ndërsa janë të akredituara 28 programe deridiplomike dhe pasdiplomike. Në Listën e Shangait për radhitjen e institucioneve të Arsimit të Lartë të Maqedonisë, e autorizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë, për vitin akademik 2015/16 UNB ishte renditur si Universiteti më i mirë në Republikën e Maqedonisë në fushën e mësimdhënies dhe të arsimit! UNB u themelua në vitin 2006 në Shkup me vizionin e ndërtimit të urave të bashkëpunimit mes popujve dhe kulturave të ndryshme në rajonin e Ballkanit dhe Turqi. (koha.mk)