E kaluara historike edhe më tej mund të jetë pengesë kryesore në procesin e anëtarësimit të plotë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Njohësit e kontesteve ndërkombëtare thonë se pasi vendi ti fillojë bisedimet për anëtarësim, mund të ketë bllokada të caktuara në çdo kapitull që do të hapet, edhe atë jo vetëm nga Sofja dhe Athina, por edhe nga ndonjë vend tjetër anëtar i BE-së
Destan JONUZI
Shkup, 11 shtator – Pas paralajmërimeve nga Sofja dhe Athina për kërkesa shtesë apo se me vigjilencë do të ndjekin zbatimin e marrëveshjeve, njohësit e kontesteve ndërkombëtare thonë se procesin e caktimit të datës për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian (BE) nuk mund ta bllokojnë dy shtetet fqinjë, por druajnë se në të ardhmen gjatë hapjes së kapitujve mund të ketë bllokada, shkruan gazeta KOHA.
Ndërkohë, deri në muajin tetor është afati që Shkupi dhe Athina duhet të arrijnë marrëveshje për Goce Dellçevin, që përputhet edhe me kohën kur Këshilli i Evropës (KE), duhet të jap vendimin final për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Politika dhe zyrtarë bullgarë janë të ashpër lidhur me këtë çështje dhe kanë paralajmëruar se para Komisionit të përbashkët për arsim dhe histori, do të paraqiten me kërkesa të reja. Nga ana tjetër, edhe zyrtarë të Qeverisë së re greke kanë shpeshtuar deklaratat se me kujdesin më të madh do ta ndjekin zbatimin e çdo germe të Marrëveshjes së Prespës. Deklaratat e tilla nga dy vendet fqinje në të shumtën e rasteve ndërlidhen me integrimin e vendit në BE.
Ish-kryetari i Parlamentit, Stojan Andov, thotë se janë të mundshme bllokada gjatë hapjes së kapitujve për anëtarësim të plotë të vendit në BE. Sipas tij, bllokadë nuk mund të ketë në tetor nëse Maqedonisë së Veriut i caktohet datë për fillimin e bisedimeve, por se një gjë e tillë mund të ndodh pasi vendi të ketë filluar bisedimet për anëtarësim.
“Nuk pres të ketë bllokadë në procesin e fillimit të bisedimeve me BE-në, por si shtet në të ardhmen shpeshherë mund të ballafaqohemi me probleme dhe sfida, të cilat nëse nuk zgjidhen në frymën e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, mund të eskalojnë deri në nivel të një bllokade nga shtetet anëtare. Deri në tetor fuqishëm duhet punuar që të gjendet një zgjidhje me Bullgarinë, ndërsa me Greqinë kemi një marrëveshje të njohur ndërkombëtare. Në rast se ka bllokada eventuale gjatë hapjes së kapitujve, nëpërmjet dialogut politik mund të gjendet një zgjidhje edhe për heqjen e tyre”, deklaroi për KOHA, Andov.
Ndërkaq, Ismet Ramadani nga Këshilli Euroatlantik i Maqedonisë vlerëson se nëse kontestet e pazgjidhura historike midis shteteve fqinjë ju lihen në dorë ekspertëve, ndërsa politika qëndron larg, zgjidhjet janë të mundshme. “Pas caktimit të datës për fillimin e bisedimeve me BE-në, fillon hapja e kapitujve, për të cilët bisedohet dhe të njëjtit mund edhe të kontestohen nga vende të caktuara. Mund të ndodh që herë pas herë të ketë edhe bllokada. Me Greqinë do të jetë më lehtë, ndërsa me Bullgarinë ka indikacione se mund të ketë ashpërsim të qëndrimeve. Nëse ka vullnet dhe politika qëndron anash, ekspertët e dyja vendeve në bashkëpunim me ato ndërkombëtar mund të gjejnë zgjidhje solide”, deklaroi për KOHA, Ramadani. Përveç ekspertëve nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, në Komisionin e përbashkët për arsim dhe histori mes Shkupit dhe Sofjes janë të kyçur edhe ekspertë nga Bashkimi Evropian.
Përndryshe, në mbledhjen e qershorit të Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së që u mbajt në Luksemburg, eurokomisari për zgjerim Johanes Han deklaroi se një numër i vogël i vendeve anëtare nuk e mbështesin procesin e fillimit të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nga ana tjetër, në konkluzionet e Këshillit u theksua se: “Këshilli do ti rikthehet çështjes së caktimit të datës me një vendim përmbajtësor në një afat të shkurtë kohor, por jo më vonë se muaji nëntor i vitit 2019”. (koha.mk)