Glosofobia, frika e të folurit në publik

105

Sa prej jush e kanë të vështirë të shprehen në prani të njerëzve? Kjo gjendje quhet Glosofobia, dhe e dini se çfarë është? Thjeshtë frika e të folurit në publik. Dhe për fat të keq prek gjithnjë e më shumë njerëz, të cilët ndihen të frikësuar kur duhet të flasin para një audience të gjerë, të cilën ata nuk e njohin. Kjo sindromë sipas hulumtimeve të fundit, prek një në katër persona. Sipas një studimi të organizatës YouGov UK, ekzistojnë 13 frikëra që nuk i lejojnë njerëzit të flenë natën. Ndërsa glosofobia pozicionohet në vendin e tretë, si dëshmi e faktit se prek shumë njerëz.

Shumë të famshëm vuajnë ose kanë vuajtur prej saj: Barbra Streisand, Ella Fitzgerald, Enrico Caruso, Luciano Pavarotti, Fiorello, Adele. Shumë burra të pushtetshëm, siç është ekonomisti Warren Buffet ose themeluesi i Virgin, Richard Branson, gjithashtu kanë vuajtur nga ankthi publik. Për fat të mirë, kjo mund të tejkalohet. Disa njerëz e kanë të detyruar të flasin në publik për shkak të angazhimeve të tyre. Ndaj disa këshilla si të përballoni emocionet në raste të tilla do ju ndihmonin.

Massimiliano Cavallo, një nga ekspertët kryesorë italianë në të folurit në publik, autor i librit “Të folurit në publik pa frikë”, shpjegon se mund të mësosh të menaxhosh frikën e të folurit në publik. Eksperti sugjeron një seri taktikash që duhet t’i mbani gjithmonë mend. Së pari njihuni me vendin ku do të mbahet fjalimi. Është shumë e rëndësishme të mos e lexoni fjalimin dhe mos e mësoni përmendësh sepse shumicën e kohës përfundoni duke bërë gabime. Vështrimi sy më sy, është e rëndësishme për të rrit besimin e dëgjuesve. Po ashtu tonaliteti i zërit duhet të jetë pak i lartë, kështu do mund të mbizotëroni e të dëgjohet ajo çfarë keni për të thënë.