“Ngrohja funksionon, shkollat janë të furnizuara me lëndët djegëse dhe jemi të përgatitur që të kemi një vit të suksesshëm 2020”, thonë nga Komuna e Tetovës. Në Tetovë të gjithë nxënësit do të vazhdojnë mësimin dhe se të gjithë ata që duhej të vaksinohen e kanë kryer këtë obligim
Urim HASIPI
Tetovë, 21 janar – Sot rifilloi procesi mësimor, respektivisht gjysmë-vjetori i dytë nëpër shkolla fillore dhe të mesme. Në Tetovë, nxënësit edhe më tej do të vazhdojnë të mësojnë me libra të vjetër shumëvjeçarë dhe mungesë të teksteve shkollore. Sipas departamentit të arsimit në Komunën e Tetovës, drejtorët kanë kryer obligimin ligjor dhe kanë njoftuar në kohë Ministrinë për mungesën e librave dhe librat e vjetër. “Sa i përket furnizimit me libra gjatë muajt maj të vitit paraprak shkollorë, të gjitha shkollat i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit respektivisht organet përkatëse të kësaj ministrie me qëllim që t`i njoftojnë ato për librat që ju mungojnë nxënësve për vitin vijues shkollor. Me këtë shkollat e kanë kryer detyrimin e vet ligjor të njoftimit të ministrisë dhe parashtrimit të kërkesave paraprake. Është fakt që procesi i furnizimit me libra shkollor zgjatë dhe ky proces në disa lëndë mësimore nuk kanë përfunduar dhe sa i përket asaj se ku është ngecja besoj se është më e udhës të drejtoheni në Ministrinë e Arsimit konkretisht në organet përgjegjëse të kësaj ministrie”, deklaroi Ahmed Qazimi, udhëheqës i departamentit të arsimit në komunën e Tetovës. Nxënësve në shkollat e mesme më shumë u mungojnë librat në lëndët profesionale.
“Kryesisht bëhet fjalë për drejtimet e arsimit profesional ku ka mungesë të librave në profilet arsimore dhe në disa drejtime të arsimit të mesëm ku në disa lëndë mësimore mungojnë disa tituj të librave dhe ky proces është i stërzgjatur dhe shpresoj në vitet që vijojnë do të jenë më fleksibile institucionet kompetente dhe ashtu si edhe duhet të jetë në fillim të muajit shtator të gjithë nxënësit të jenë të furnizuar me librat e nevojshme për ndjekjen e mësimit ashtu si e parasheh ligji”, tha Qazimi. Në ndërkohë Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, tha se shtypja e teksteve është duke u bërë. “Shtypja e teksteve shkollore është duke u bërë dhe për shumë tekste shkollore në arsimin fillor, të njëjtat do të distribuohen deri te institucionet arsimore, shkollat fillore. Me këtë procedurë të suksesshme të furnizimit publik ne po e rrumbullakojmë dalëngadalë një problem disa vjeçar të sigurimit të teksteve shkollore, por vetëm të atyre teksteve shkollore për të cilat Ministria e Arsimit ka mbi supe të drejtat autoriale ndërsa për tekstet shkollore për të cilat të drejtën ekskluzive e kanë shtëpitë botuese në asnjë vit shkollor nuk kemi pasur problem”, tha ministri Ademi.
Nga Komuna e Tetovës kanë thënë se kanë bërë përgatitjet e nevojshme për rifillim të procesit mësimor. “Shkollat fillore dhe të mesme janë të përgatitura për fillimin e sezonit të dytë patëm edhe një periudhë intensive të punëve gjatë pushimeve dimërore konkretisht gati se në çdo shkollë fillore dhe të mesme. Është punuar që nxënësit të kenë kushte sa më të mira për fillimin e gjysmë vjetorit të dytë patëm disa investime nëpër shkolla me qëllim ngritjen e cilësisë së përgjithshme të procesit edukativo arsimor. Ajo që është më e rëndësishmja, ngrohja funksionon, shkollat janë të furnizuara me lëndët djegëse dhe jemi të përgatitur që të kemi një vit të suksesshëm 2020”, tha Qazimi. Ai theksoi se në Tetovë të gjithë nxënësit do të vazhdojnë mësimin dhe se të gjithë janë vaksinuar. (koha.mk)