Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 tetor – Gati gjysma e buxhetit të shtetit sivjet do të harxhohet për komponentin social. Me fjalë të tjera, harxhimet për pensionet dhe pagat e administratës sivjet do të marrin 1 miliardë e 270 milionë euro, që paraqet gati 40 për qind e të gjitha harxhimeve buxhetore, shkruan gazeta KOHA. Kur kësaj shume i shtohen edhe harxhimet për shëndetësi prej afër 400 milionë euro, del se vetëm këto tre dikastere përbëjnë gjysmën e të gjithë pagesave që kryhen nga buxheti i shtetit prej 3 miliardë e 290 milionë euro. Sipas “Buxhetit qytetar” të publikuar nga Ministria e Financave, sivjet më shumë të holla do të harxhohen për opensione – 51.9 miliardë denarë apo afër 841 milionë euro. Kjo nënkupton se 25.5 për qind e të gjitha harxhimeve të buxhetit për këtë vit shkojnë për pensione. Harxhimet e dyta më të mëdha janë për mbrojtje shëndetësore me 27 miliardë denarë apo afër 405 milionë euro. Në vendin e tretë renditen shpenzimet për kontribute me rreth 26.6 miliardë denarë. Në vendin e katërt, sipas harxhimeve, janë furnizimet e mallrave dhe shërbimeve që shërbejnë për punën normale të shfrytëzuesve të buxhetit, për të cilat sivjet parashikohet të harxhohen 17.6 miliardë denarë apo 8.6 për qind e të gjithë të ardhurave të shtetit. Këto harxhime ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në Prodhimin e Brendshëm Bruto për shkak se shpesh shfrytëzohen shërbimet e kompanive vendore e që ndikon edhe në rezultatet pozitive të punës së tyre.
TË DALAT E BUXHETIT PËR 301 MILIONË MË SHUMË SE TË HYRAT
Megjithatë, një pjesë e mallrave dhe shërbimeve janë nga importi që zvogëlon rëndësinë e këtyre harxhimeve për ekonominë vendore. Aktualisht mungon një analizë më e detajuar se sa taksapaguesit e Maqedonisë në të vërtetët me paratë e tyre mbështesin ekonominë dhe prodhuesit vendor lidhur me harxhimet e ndryshme për shërbime dhe mallra.
Në vendin e pestë, sipas vlerës së harxhimeve buxhetore, janë transferet deri tek komunat apo Njësitë e vetëqeverisjes lokale për nevojat e arsimit dhe nevoja të tjera me 17 miliardë denarë apo 8 për qind të harxhimeve buxhetore. Pasojnë subvencionet dhe transferet me 15.5 miliardë denarë, si dhe transferet sociale me 9.8 miliardë denarë. Për kamatat ndahen 8.2 miliardë denarë, ndërsa për harxhimet e tranzicionit për Fondin e Dytë Pensional ndahen afër 6 miliardë dearë apo 100 milionë euro. Sipas “Buxhetit qytetar” , të ardhurat totale të buxhetit për vitin 2017 janë projektuar të jenë 184.7 miliardë denarë apo 2.99 miliardë euro, ndërsa të dalat e buxhetit janë 203.3 miliardë denarë apo 3 miliardë e 295 milionë euro. Minusi apo deficit në buxhet është 18.6 miliardë denarë apo 301 milionë euro. Në ndërkohë, buxheti qytetar shpalos se të ardhurat në buxhet realizohen nga tatimet, kontributet dhe burimet e tjera, si të ardhurat jotatimore, të ardhurat kapitale dhe donacionet.
Buxheti i Republikës së Maqedonisë mbushet me 106.7 milionë denarë nga të ardhurat tatimore, ndërsa me afër 58 për qind dominon Tatimi i Vlerës së Shtuar (TVSH), shkruan KOHA. Kjo, me fjalë të tjera do të thotë se çdo banor në tërë Maqedoninë – qoftë në Shkup apo vendbanimet më të vogla, për çdo blerje në dyqan, pagesë të rrymës, telefonit dhe shërbimeve të tjera – paguan edhe TVSH-në prej 18 për qind, me çka direkt e mbush arkën e shtetit. Në vend të dytë, sipas vlerës së mjeteve që mbushin arkën e shtetit me 52.7 milionë denarë, janë kontributet sociale apo pagesa e stazhit pensional dhe shëndetësor dhe në vendin e tretë me 16.3 milionë denarë janë të ardhurat jotatimore. Në vendin e katërt me 8.9 milionë denarë janë të ardhurat kapitale, donacione nga jashtë etj. Është interesant të theksohet se vetëm në strukturën e të ardhurave tatimore – me gati gjysmë apo 46 për qind dominojnë të ardhurat nga TVSH-ja, pasojnë me 22 për qind akcizat e ndryshme si ajo e derivateve të naftës, alkooli, veturat nga importi, duhani dhe vajrat mineral. Me 14 për qind marrin pjesë të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, me 11 për qind ato të tatimit në fitim, me 5 për qind të ardhurat nga dogana dhe 2 për qind të ardhura të tjera.
REBALANCI I PASHMANGSHËM
Në ndërkohë, Qeveria e re me rebalancin vjetor shkurtoi dhe ridestinoi një pjesë të mjeteve për politikat e reja si 270 milionë denarë për pagën minimale, 46 milionë denarë si kompensim për afër 3000 punëtorë të ndërmarrjeve të falimentuara, 135 milionë denarë përkrahje për biznesin dhe më shumë projekte të tjera. Nga ana tjetër, u shkurtuan 500 milionë denarë harxhime për reklama qeveritare, 800 milionë denarë për harxhimet e projektit “Shkupi 2014”. Janë minusuar edhe 930 milionë denarë për marrëveshje kontraktuale, 380 milionë denarë për udhëtime e kështu me radhë. Ekonomistët thonë se mbetet të shikohet se si Qeveria e re do të realizojë programin e premtuar qeveritar përmes menaxhimit të financave publike, ose me fjalë të tjera – mbetet të shikohet se si do të financohen vitin e ardhshëm projektet e premtuara për rritjen standardit të qytetarëve. Njëherësh, pritet që edhe në vitin 2018, në buxhetin ri të dominojnë harxhimet për pagat, pensionet, subvencionet dhe transferet sociale, të cilat si harxhime në vitin e ardhshëm, nuk pritet të kenë ndonjë ndryshim të madh nga ky vit.
SFIDAT E QEVERISË SË ZAEVIT
Rritja e madhe e borxhit publik, deficiti i lartë buxhetor apo harxhim më i madh se të ardhurat në buxhet, vonesa e pagesa të shtetit ndaj biznesit, si dhe mungesa e parave të gatshme nga ana e afaristëve, pritet të jenë sfidat kryesore të procesit të stabilizimit të financave publike për kabinetin e ri qeveritar. Ekspertët thonë se stabilizimi i financave publike me përjashtimin e masave të mëdha të kursimit dhe shtrëngimit të rripit është detyrë jo aq e lehtë, por jo edhe e paarritshme për një pushtet të përgjegjshëm që do të ketë kujdes për prioritetet, si dhe për atë se ku mundet dhe ku jo të harxhohen të hollat. Nga ekzekutivi i ri paralajmërohet së pari analizë të thellë e të gjitha borxheve të shtetit, si dhe ndihmë nga Fondin Monetar Ndërkombëtar, por vetëm në rast se nuk është i kushtëzuar me masa që nënkuptojnë politikë restriktive ekstreme që do të rrezikojë rritjen ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. (koha.mk)