Në gati tetë vitet e kaluara, mbi 210 mijë ndërtime pa leje kanë zgjidhur statusin e tyre dhe kanë fituar fletëpronësi, ndërsa mbi 440 mijë kërkesa janë parashtruar për legalizimin e trojeve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 shkurt – Më 31 dhjetor të viti 2018 skadoi afati për dorëzimin e kërkesave të reja për legalizimin e patundshmërive , si dhe afati për dorëzimin e dokumenteve që mungojnë, ku dominonte elaborate gjeodezik. Me fjalë të tjera pasi shteti, tre herë prej muajit mars të vitit 2011 deri më fundin e vitit të kaluar ju mundësoi qytetarëve të legalizojnë pronat e tyre, konform Ligjit për veprimin me objektet e ndërtuara pa leje, akoma një pjesë e madhe e kërkesave të qytetarëve kanë mbetur të pazgjidhura dhe qëndrojnë në sirtarët e komunave si rrjedhojë e problemeve të ndryshme administrative, shkruan gazeta KOHA.
PROBLEMI I PRONËS SHKAKTON VONESA
Në gati tetë vitet e kaluara , mbi 210 mijë ndërtime pa leje kanë zgjidhur statusin e tyre dhe kanë fituar fletë pronësi , ndërsa mbi 440 mijë kërkesa janë parashtruar për legalizimin e trojeve. Nga ana tjetër, autoritetet kanë deklaruar se nuk do të ketë zgjatje të re të afateve për legalizim. Njëherazi, praktika tregon se nëpër komuna, pengesa kryesore që pengon zgjidhjen e kërkesave të parashtruara për legalizim janë çështjet e pazgjidhura pronësore-juridike. Në teren , ekzistojnë problem të ndryshme që ndërlidhen me kërkesat për legalizim që janë në fazë të zgjidhjes me deklaratë të vërtetuar në noter se objekti është ndërtuar para se të hyjë në fuqi Ligji për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje. Problemet e tjera kanë të bëjnë me të drejtën e pronësisë nga më shumë pronarë, që shpesh pengon procesin e legalizimit. Nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale thonë se me vendim të Këshillit drejtues, është kërkuar nga Ministria e Transportit që të krijohet një trup që do të përgatisë zgjidhje ligjore për tejkalimin e problemeve.
“Do të formohet grup pune i cili në aspekt teknik do të përcaktojë zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen komunat gjatë veprimit me këto lëndë”, thotë Dushiça Perishiq, drejtoreshë e BJNVL-së. Edhe nga organizata që përfaqëson dhe mbron interesat e të gjithë 85 komunave në Maqedoni së bashku me qytetin e Shkupit, por edhe nga Ministria e Transportit , thonë se nuk ka nevojë për zgjatje të reja të afateve që do mundësonin parashtrimet eventuale të kërkesave të reja, por shtojnë se nevojitet të krijohet një ambient më i favorshëm që do të mundësojë zgjidhjen më të lehtë dhe më të shpejtë të lëndëve të shumta të legalizimit të trojeve.
Analizat tregojnë se para katër vitesh, problemi kryesor të cilin e vërejtën institucionet ishte mos kompletimi i dokumentacionit për legalizim me elaboratet e nevojshme gjeodezike.
Kjo dëshmohet edhe me faktin se deri në fillim të vitit 2015, mbi 150 mijë qytetarë që kanë parashtruar kërkesë nuk kanë dorëzuar elaborat, andaj Kadastra nuk mund të lëshonte fletë-posedimin, raporton KOHA. Në vitet e kaluara, kryetarët e komunave pohonin se vonesat e legalizimit të pronave ishin të natyrave të ndryshme. Shkaqet e ngecjes, krahas vonesave në dorëzimin e elaborateve ishin edhe neglizhenca, mungesa e të hollave, por edhe pengesat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore që pritej të tejkalohen me ndryshimin e dispozitave ligjore përkatëse.
Në dy afatet e fundit për legalizim u kërkua fletë pronësia për mbi 440 mijë objekte të ndërtuara pa leje, ndërsa akoma nuk ka të dhëna lidhur me shifrën përfundimtare për të cilën kërkohet legalizim i pronave deri më fundin e vitit 2018.
NDËRTIMET PA LEJE NË RAJON
Ndryshe , ndërtimet pa leje në rajon kanë qenë fenomen i vazhdueshme, ndërsa gati të gjitha vendet e rajonit kanë pasur më shumë ndërtime pa leje. Problemi i legalizimit të patundshmërive të ndërtuara pa dokumentacionin e pronësisë mundon tërë Ballkanin. Deri në muajin shkurt të vitit 2015, llogariteshin n mbi 1 milion ndërtime pa leje në të katër shtetet e Ballkanit; Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi. Shifra është bërë publike në Tiranë në konferençën përmbyllëse rajonale “Informaliteti, zgjidhje dhe sfida”, ku përfaqësues nga të katër vendet kanë diskutuar dhe ndarë mes tyre përvojat dhe eksperiencat më të mira në menaxhimin e procesit të legalizimeve. Problemi më i madh dhe i përbashkët i këtyre vendeve, mbetet shifra e lartë e ndërtimeve pa leje, por edhe pronësia e këtyre objekteve.
Qeveria shqiptare në muajin nëntor të vitit 2018, ndryshoi procedurën dhe kriteret për legalizimin e 77 mijë ndërtimeve pa leje që deri më tani kanë mbetur pa u ligjëruar. Nëpërmjet projektligjit për “Përfundimin e proceseve kalimtare të kalimit të pronësisë”, ekzekutivi i jep dhe një mundësi tjetër të gjithëve atyre që për shkaqe apo arsye të ndryshme nuk kanë mundur ta legalizojnë banesat apo ndërtimet e ndërtuara pa leje, në tokë të një tjetri apo edhe në tokën e tyre. Në Shqipëri, pothuajse gjysma e ndërtimeve pa leje janë legalizuar, por çfarë mbetet përbën edhe pjesën më të vështirë të një procesi 13-vjeçar, të nisur, por ende të pazgjidhur . Formalizimi i zonave informale mund të konsiderohet një kapitull i mbyllur, por sprova e vërtetë duket se është kjo që sapo ka filluar. Legalizimi i objekteve në brendësi të zonave urbane nuk mund të zgjidhet sa hap e mbyll sytë. Deri në vitin 2017, nga të dhënat zyrtare rezulton se në periudhën 2014 -2017, janë legalizuar rreth 144 mijë objekte. Kjo do të thotë se janë edhe 179 mijë objekte të tjera, të cilat i nënshtrohen procedurave të pajisjes me tapi.
Në Kosovë, legalizimi i ndërtimeve pa leje në territorin e Kosovës pritet të zgjasë edhe disa vite. Në Kosovë, mbi 352 mijë ndërtime pa leje janë të evidentuara në Ministrinë e Mjedisit, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Në Kroaci vetëm deri në fund të vitit 2013 janë dorëzuar mbi 830 mijë kërkesa për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, ndërsa mbi 600 mijë edhe janë legalizuar. Megjithatë ky proces po zgjat edhe më tej pas zgjatjes së afatit deri në 30 qershor të vitit 2018. Në Mal të zi sipas autoriteteve të kadastrës janë shënuar mbi 40 mijë objekte jo legale, ndërsa analizat e Ministrisë së zhvillimit të qëndrueshëm tregojnë se mbi 100 mijë objekte janë të ndërtuara pa leje. Në Serbi, mbi 1.5 milion qytetarë kanë ndërtuar shtëpitë e tyre pa leje. (koha.mk)