Maqedonia posedon një park vozitës prej mbi 400 mijë vetura të vjetra prej më shumë se 18 vjet viti i prodhimit. Prej tyre, 80 për qind janë më të vjetër se dhjetë vjet, ndërsa gjysma përdorin për ngasje motorin me dizel, derisa vetëm 12 mijë veturë lëvizin me gaz
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 maj – Maqedonia posedon një park vozitës prej mbi 400 mijë vetura të vjetra në mesatare 18 vjet e shtatë muaj. Prej tyre, 80 për qind janë më të vjetër se dhjetë vjet, ndërsa gjysma përdorin për ngasje motorin me dizel, tregojnë të dhënat zyrtare të Entit të Statistikës. Me gaz apo metan, kanë ngasje vetëm 12 mijë veturë që nuk arrin as 3 përqindëshi i totalit të veturave të regjistruara, shkruan gazeta KOHA. Gjithashtu, në komunikacion po qarkullojnë vetëm 10 mijë vetura të vjetra deri më pesë vjet apo vetëm 2.5 për qind e totalit të gjithë veturave. Statistika më tej tregon se me importin e veturave të vjetra është rritur edhe përqindja e veturave me ngasje me dizel në vend se me benzinë.
“Në vitin 2009, benzinën e kanë përdorur 216.380 vetura, ndërsa dizelin e kanë përdorur 54.200 vetura. Shtatë vite më vonë, apo në vitin 2016 , benzinën si mjet ngasje e kanë përdorur 107.880 vetura, ndërsa dizelin e kanë përdorur 192.816 vetura”, tregon analiza e të dhënave për zhvillimin e transportit në Maqedoni në vitin 2016.
RREGULLAT GJERMANE MBUSHIN BALLKANIN
Në Maqedoninë e Veriut dhe në shtetet e rajonit, në periudhën e fundit mund të vërehet se me shtrëngimin e rregullave ekologjike në Gjermani dhe më gjerë në Evropë, është rritur edhe importi i veturave dizel në Ballkan. Sipas të dhënave më të reja të Doganës së Maqedonisë, në tre muajt e parë të këtij viti janë importuar 10.331 vetura, prej tyre 7797 janë të vjetra, ndërsa 1505 janë të vjetra. Faktin se shumica e veturave të vjetra janë me motor dizel e dëshmon edhe një shëtitje e zakonshme nëpër tregjet mobile të veturave që shesin vetura të importuara nga jashtë.
Ndryshe, si kuriozitet vlen të përmendet edhe niveli i posedimit të veturave të qytetarëve të Maqedonisë në raport me shtetet e tjera, me 200 vetura për 100 banorë.
Sipas të dhënave të EUROSTAT-it në vitin 2016, BE kishte mesatarisht 505 autovetura për 100 banorë, ndërsa sipas të dhënave kombëtare të INSTAT-it, Shqipëria kishte 420 mijë autovetura ose 146 automjete për 1000 banorë. Gjithashtu, sipas të dhënave të Nation Master, Shqipëria vijon të ketë numrin më të ulët të automjeteve për 1000 banorë edhe në krahasim me rajonin, ku shihet se në 2016 – në Malin e Zi u regjistruan 309 makina, në Serbi 288 autovetura për 1000 banorë dhe në Bosnjë 204 automjete për 1000 banorë, teksa të dhënat për Kosovën mungojnë. Në mesin e shteteve anëtare të BE-së, Luksemburgu kryeson listën me 662 makina për 1 000 banorë, pasuar nga Italia (625 makina), Malta (615 makina), Finlanda (604 makina) dhe Qipro (595 makina). Në anën tjetër, numri më i ulët i automjeteve u regjistrua në Shqipëri me 146 makina, në Rumani 261, Hungari 338, Letoni 341 dhe Kroacia 374 makina.
ME NAFTË APO BENZINË, ÇFARË PREFEROJNË EUROPIANËT
Preferencat nëse makinat e reja të pasagjerëve janë me benzinë apo motor dizel ndryshojnë në të gjithë shtetet anëtare të BE-së. Një arsye për dallimet në mes të shteteve anëtare nëse konsumatorët preferojnë të blejnë makinë me benzinë apo naftë lidhet me sistemet nacionale tatimore, si në lidhje me llojin e karburantit e motorit, ashtu edhe për tatimin mbi lëndët djegëse. Në disa vende, ka edhe skema të veçanta stimuluese për të nxitur konsumatorët të zgjedhin makina me emetim të ulët.
Në vitin 2015, pesha më e lartë e makinave me naftë në mesin e makinave të reja të pasagjerëve janë regjistruar në Kroaci (77 për qind ), Lituani (74 për qind ) dhe Irlandë me 71 për qind të totalit të regjistrimeve të reja. Peshë e lartë e makinave me naftë u vunë re edhe në mesin e regjistrimeve të reja në Belgjikë (60 për qind ), Austri (59 për qind ) dhe Francë (58 për qind ). Në të kundërt, makinat e pasagjerëve me benzinë dominuan regjistrimet e reja në veçanti në Holandë (74 për qind ), Qipro (69 për qind ), Maltë (68 për qind ), Estoni (67 për qind ) dhe Finlandë (64 për qind ).
Disa shtete anëtare kanë raportuar një përqindje më të madhe të makinave të vjetra të pasagjerëve (20 vjet ose më të vjetër) në vitin 2015. Shtetet anëtare me peshën më të lartë ishin Polonia (33 për qind ), Estonia (26 për qind ), Letonia (22 për qind ) dhe Finlanda ( 21 për qind ). Në të kundërt, përqindjet e makinave “ më të reja” të pasagjerëve (më pak se 2 vjet e vjetër) ishin më të lartat në Luksemburg (33 për qind ), Belgjikë dhe Irlandë (të dyja me nga 21 për qind ) dhe Austria (18 për qind ).
Në vitet e fundit, një numër vendesh kanë pasur programe mbështetëse për blerjet e makinave të reja me emetime të ulëta duke hequr makinat e vjetra. Qëllimet e përgjithshme të këtyre programeve ishin rinovimi i flotës të makinave të pasagjerëve me makina me emetim më të ulët, dhe njëkohësisht stimulimin e ekonomisë. Këto programe kanë pasur ndikim të caktuar në përbërjen e moshës së veturave të pasagjerëve në vende të veçanta. Programe të tilla janë zbatuar në pothuajse gjysmën e shteteve anëtare. (koha.mk)