Gjysma me Fejsbuk dhe Instagram

Shkup, 21 gusht – Maqedonia e Veriut është shtet me 1.1 milionë shfrytëzues të rrjetit social “Facebook”, për 100 mijë më shumë në raport me vitin e kaluar, ndërsa gjysmë milionë, apo më shumë se 540 mijë persona janë të kyçur në “Instagram”.

Sipas të dhënave të uebit të specializuar për ndjekjen e numrit të shfrytëzuesve të rrjeteve sociale statista.com, nga 1.58 milion shfrytëzues të regjistruar të internetit në shtet, dy e treta e tyre janë aktiv në rrjetet sociale, më së shumti në “Facebook” dhe “Instagram”, shkruan koha.mk.

Përndryshe në botë ka 4.1 miliardë shfrytëzues të internetit, ndërsa 3.2 miliardë janë shfrytëzues të rrjeteve sociale. Pjesë e komunitetit të “Facebook”-ut janë 2.37 miliardë shfrytëzues, pason video platforma Youtube me 2 miliardë, Facebook Mesenger me 1.3 miliardë, Instragrami me 1 miliardë dhe Tuiter me 330 milionë. (koha.mk)