Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 dhjetor – Betonizimi i tokës bujqësore, parcelat e vogla dhe të shpërndara, shfrytëzimi i zonave fushore dhe tokave bujqësore për ndërtime të ulëta e të larta, mosinteresimi i fermerëve potencial që të punojnë arat për shkak të kostos së lartë dhe fitimeve të ulëta, ikja e madhe e popullatës së re jashtë shtetit, shkruan gazeta KOHA. Këto vlerësohet të jenë ndër shkaqet kryesore pse një pjesë e madhe e tokës bujqësore në Maqedoni nuk punohet.
Humbja e tokave pjellore për qëllime jo bujqësore, ka kaluar në dukuri jo vetëm në Maqedoni, por edhe në tërë rajonin qoftë në Kosovë, Shqipëri, Kroaci apo Serbi. Kjo problematikë vlerësohet si një ndër sfidat kryesore, me të cilën përballen institucionet, por edhe shoqëria në përgjithësi. Një dukuri e tillë e shkatërrimit të tokës pjellore dhe përdorimin e saj për ndërtime shtëpish apo edhe për veprimtari të tjera biznesi, paraqet problem që shqetëson jo vetëm Maqedoninë, por të gjitha shtetet e rajonit, për shkak se toka paraqet një resurs të çmuar që mund të sigurojë ushqimin për pjesën dërmuese të popullatës nga prodhimtaria vendore, duke zvogëluar edhe vartësinë e shteteve nga importi i ushqimit. Krahas copëzimit të parcelave bujqësore, problem tjetër për bujqësinë vendore janë edhe arat që nuk mbillen ose potenciali i pashfrytëzuar për punim të tokës. Statistika ka përllogaritur se nga 415.004 hektarë me kultura të ndryshme bujqësore, mbillen vetëm 276.567 hektarë. Nga totali i tokës që punohet, pjesa më e madhe apo afër 60 për qind, mbillen me drithëra, afër 20 për qind me perime, 14 për qind janë me bimë foragjere për ushqimin e kafshëve dhe afër 10 për qind janë të mbjella me kultura të ndryshme industriale. Edhe përkundër subvencioneve që shteti jep për rritjen e kulturave industriale, megjithatë bujqit më shumë kultivojnë duhanin, më pak kultivojnë panxhar sheqerin dhe lulediellin apo rrepën e vajit, ndërsa gati nuk kanë interesim për pambukun dhe disa kultura të tjera industriale. Ekspertët e bujqësisë thonë se rendimentet e ulëta për sipërfaqe dhe çmimet e ulëta grumbulluese diktojnë edhe mbjelljen e vogël të kulturave industriale në raport me kulturat e tjera. Vlerësohet se kthimi i tyre në arat vendore do të zvogëlonte importin e këtyre lëndëve të para nga importi dhe njëherazi do të kishte një balancë midis prodhimit të perimeve të hershme që kanë probleme me plasmanin. Kjo mund të ndryshohet, vlerësojnë agronomët, nëse ofrohet mbështetje, programe dhe subvencione shtesë, me qëllim që bujqit të stimulohen të prodhojnë më shumë kulturat industriale.
Ekspertët e bujqësisë thonë se krahas stimulimit të kulturave që do të sjellin lëndë të parë për industrinë ushqimore dhe bujqësore nga prodhimi vendor, nevojitet të mbështetet edhe prodhimtaria bujqësore çdo kund ku ka mundësi për shfrytëzimin e tokës.
“Pjesa më e madhe e këtyre tokave që nuk punohen gjenden në rajonet kodrinore-malore, por me siguri se ato shtrihen edhe në pjesët e rrafshit. Me siguri se dëmi nga mos-punimi i tyre nuk është i vogël. Vlerësoj se së paku 50 mijë hektarë mund të mbillen me misër, elb, ushqim për kafshët etj., me qëllim që të anulohet një pjesë e madhe e importit nga jashtë të këtyre kulturave, për të çilat për çdo vjet harxhojmë miliona e miliona euro. Kjo hap rrugën që në të ardhmen jo vetëm të mbulojmë nevojat vendore, por edhe të mendojmë për eksportin e tyre”, thotë profesori universitar Boris Anakiev. Në ndërkohë, analizat e ndryshme tregojnë se copëzimi i tokës bujqësore dhe hapësira e vogël e ekonomive bujqësore nuk ul harxhimet e prodhimtarisë bujqësore. Në teren bujqit, shpesh, në vend se t’i kushtohen punimit të një hapësire më të madhe bujqësore, ato janë të detyruar të harxhojnë kohë dhe të holla për të punuar arat që janë të larguara me qindra metra, por edhe me kilometra nga njëra tjera. Në vitet e kaluara në Maqedoni punohej në bashkimin e tokave bujqësore, që si proces në praktikë rrjedh mjaft ngadalë dhe me vështirësi. Edhe ekzekutivi i ri ka vazhduar me projektet e konsolidimit apo bashkimit të tokës bujqësore të mbështetur nga institucionet e jashtme. Projekti i fundit është “MAINLAND“, i financuar nga BE dhe që realizohet nga Organizata e ushqimit të OKB-së, FAO, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë në Maqedoni. Projekti do të zhvillohet përmes mënyrave të ndryshme të këmbimit të parcelave, ku deri në fund të vitit 2017 do të zgjidhen 12 zona që krahas bashkimit të tokës, do të fitojnë edhe sisteme të reja për vaditje dhe rrugë të re qasëse. (koha.mk)